Ngritja e çmimit të miellit, ka bërë që të shtrenjtohet buka edhe në Komunën e Podujevës, njofton Llapi.info
Në shumë Komuna të Kosovës, çmimi i bukës është shtrenjtuar për 10 cent, ndërsa në Podujevë është rritur për 5 cent më shumë nga 30 cent sa ishte në fillim. Furrtarët në Podujevë arsyetohen se ngritja e çmimit të miellit ka bërë që nga dje të shtrenjtohet edhe buka.
Përderisa qytetarët llapjanë përkrahin taksën 100 për qind ndaj Serbisë, ata e kundërshtojnë rritjen e çmimit të bukës, pasi që sipas tyre, konsumatori duhet të jetë në rend të parë.
“Taksa duhet me mbet ashtu, por nuk duhet të ngritët çmimi i bukës, miellit e sendet tjera elementare për jetesë, duke parë gjendjen ekonomike të qytetarëve në Podujevë, por edhe në vendet tjera. Duhet të përkrahet taksa, po edhe xhepi i njerëzve”, ka thënë për Llapi.info, Beqir Sadiku
I pakënaqur me këtë ndryshim të çmimit është edhe qytetari Naim Ferati.
“Të dëmtohet Serbia është mirë për neve, por nuk duhet të dëmtohet konsumatori. Nuk duhet të ketë ngritje çmimesh. Se për Serbinë në fillim është dashur taksa”, ka thënë ai.
Të njëjtin mendim e shprehin edhe banorët tjerë të Podujevës. Sipas tyre, rritja e çmimeve ndikon në ekonominë familjare.
Ndërsa, nga Shoqata e Mullinjve të Kosovës, kanë thënë se “Masa ndaj Serbisë ka ndikuar, por ka edhe faktorë të tjerë kanë ndikuar. Çmimi i energjisë elektrike është ngritur, çmimi i karburanteve po ashtu është ngritur dhe këto ndikojnë direkt në çmimin e bukës. Ky çmim për konsumatorin kosovar është ngritur”.
Ndryshe, përveç bukës, në shumë qytete të Kosovës edhe artikuj të tjerë janë shtrenjtuar, pas vendimit të Qeverisë për ngritje në 100 për qind të taksës së mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina./Llapi.info