Dogana e Kosovës ka konfiskuar sot 900 litra vaj ushqimor me origjinë nga Serbia.

Konfiskimi i vajit ka ndodhur pikërisht në kohën kur çmimi i këtij produkti ka arritur kulmin në Kosovë, në marketet kosovar ky produkt ka arritur çmimin për litër deri në 2.95 euro.

Bazuar në njoftimin e doganës, shoferi i automjetit i cili po barte ilegalisht produktin e vajit ka tentuar të ikë nga vendi i ngjarjes.

Njoftimi i plotë nga Dogana e Kosovës:

Mitrovicë 28 Qershor 2022, Njësitet Antikontrabandës të Doganës së Kosovës në Veri të Mitrovicës kanë parandaluar kontrabandimin e vajit ushqimor në sasi prej 900 litrave.

Njësit e antikontrabandës së Doganës gjatë patrullimit në Mitrovicë (pjesën Veriore) kanë identifikuar një automjet transportues të dyshimtë. Oficerët doganor kanë tentuar të ndalin këtë automjet por i njëjti nuk i është bindur urdhërave për të u naldur dhe ka tentuar të ikë me automjet. Pas ndjekjes nga ana e njësive tona është arritur të ndalohet ky automjet, respektivisht në fshatin Zubq ku edhe është ndaluar.

Pas kontrollimit të automjetit janë gjetur 900 litra vaj ushqimor me origjinë nga Serbia i cili ishte kontrabanduar në Kosovë. Mallrat janë konfiskuar si dhe ka filluar procedura kundërvajtëse
Dogana e Kosovës në bashkëpunim me autoritetet kompetente do të vazhdojë të ushtroj kontrolla në kuadër të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saj, me qëllimin e vetëm parandalimin e veprimtarive ilegale në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Dogana e Kosovës fton qytetarët të njoftojnë secilin rast të sjelljes jo etike të zyrtarëve doganor në numrin e telefonit 080050095.