Lokale - eSIMy

Gjashtë shtëpiza prej druri pritet të vendosen ka mesi i dhjetorit në Bulevardin e Dëshmorëve në Podujevë, shkruan Llapi.info.

Ky aktivitet do t’i ngjasojë atij “verë n’dimën”, i cili organizohet në Prishtinë dhe disa Komuna tjera.

Në sheshin qendror të Podujevës është paraparë të vendosen gjashtë shtëpiza druri, ku të njëjtat do të jenë të destinuara për lokalet e gastronomisë. Kështu ka thënë edhe drejtori për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik në Podujevë, Pajtim Balaj.

“Si fillim do të vendosen gjashtë shtëpiza druri, të cilat do të jenë të destinuara për bizneset e gastronomisë. Ky është një festival i dimrit, i cili është organizuar në Prishtinë dhe në komunat tjera. Besoj që të njëjtën do ta ketë edhe në Podujevë. Këto shtëpiza do të jenë të destinuara për shërbimet që ofrohen nga bizneset e gastronomisë”, ka thënë Balaj.

Shtëpizat, sipas Balajt, kanë qenë të parapara të vendosen në fillim të muajit dhjetor, por që siç ka thënë ai, për shkak të problemeve në tregun ndërkombëtar me furnizim të materialeve për ndërtimin e tyre, ky aktivitet është vonuar.

Balaj ka theksuar për tv Llapin se këto shtëpiza do të jenë në qendër të sheshit deri më 17 shkurt./Llapi.info