Shtatorja e legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri do të vendoset në në Bulevardin e Dëshmorëve në Podujevë. Ky vendim me shumicë votash është marrë sot në mbledhjen e Kuvendit Komunal, raporton Llapi.info.
Se që duhet të vendoset shtatorja e Fadil Vokrrit e kanë përkrahur të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin e Podujevës, por debati është zhvilluar se në cilin lokacion.
Në emër të Komitetit sportiv të Llapit, këtë kërkesë për caktimin e lokacionit e ka paraqitur përpara asamblesë komunale drejtori i Drejtorisë së Urbanizimit, Hamdi Jaha.
“Është një kërkesë nga Komiteti sportiv i Llapit për të caktuar lokacionin për shtatoren e së Fadil Vokrrit. Nëse ju pranoni, do të vendoset në parkun e qytetit ku është një figurë e Bashkimit Evropian”, ka thënë Jaha.
Në emër të LDK-së, këtë kërkesë e ka përkrahur këshilltari komunal, Agim Behluli.
Duke përkrahur iniciativën, Bajram Ajeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka theksuar se shtatorja duhet të vendoset në një lokacion më publik.
“Kërkesa e Komitetit sportiv është shumë e drejtë. Mirëpo, lokacioni besoj nuk është më i qëlluari, sepse duhet të jetë më publik. Ky propozim duket se është tendencë kudër Vetëvendosjes, pasi ne në vitin 2018 kemi pas propozuar që shëtitorja buzë lumit Llap të emërtohet sheshi “Adem Demaçi”. Por, kjo kërkesë nuk është shqyrtuar ende. E para nuk është respektuar procedura administrative, sepse nuk na jeni përgjigjur. E dyta, e keni propozuar të njëjtin lokacion që e kishim propozuar ne për Adem Demaçin. Pse të mos vendoset shtatorja e Fadil Vokrrit në Bulevardin që po ndërtohet, ose në sheshin ku përballë shtatores së Ali Ajetit. Edhe ashtu kanë qenë prej të njëjtit fshat, Sfeçël? Pse jo edhe në një rrethrrotullim që do të ndërtohej në rrugën Podujevë-Prishtinë, ose edhe te stadiumi, që do të ishte një motiv për gjeneratat që do të merreshin me futboll?”, ka thënë Ajeti.
Në një replikë, kryesuesi i Kuvendit, Fatmir Gashi ka theksuar se kërkesa për të ndryshuar lokacionin duhet drejtuar Drejtorive përkatëse.
Vendenis Lahu i VV-së ka potencuar se ka lokacione të ndryshme, sipas tij, të mira për t’u vendosur çdo shtatore për figurat e rëndësishme të Llapit.
“Po më duket e çuditshme dhe e panevojshme që Drejtoria të caktojë të njëjtin lokacion që ne e kishim propozuar në vitin 2018 për Adem Demaçin. Kemi lokacione të ndryshme, të mira, jo vetëm për ikonën e futbollit, por edhe për të gjitha figurat tjera të rëndësishme të Llapit. Është mirë që të vendosim bashkërisht lokacionin dhe t’i nderojmë ashtu siç e meritojnë”, ka thënë Lahu.
Ndërkaq, këshilltar i PDK-së, Rafet Llapashtica ka propozuar që shtatorja të vendoset në sheshin e qytetit.
“Është mirë që ashtu siç vendoset emri i sheshit, aty të vendoset edhe shtatorja. Është mirë që ne të vendosim sot për lokacionin sepse mund të na e marrin në Prishtinë dhe pastaj nuk mund as ta kthejmë”, tha ai.
Pas debatit të zhvilluar në Kuvend, me shumicë votash është miratuar që shtatorja e Fadil Vokrrit të vendoset në Bulevardin e Dëshmorëve./Llapi.info






