Gjykata Themelore në Ferizaj, trupi gjykues i Departamentit për të Mitur, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit B.S i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare.

Trupi Gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Kadrije Goga – Lubishtani, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor fillestar, administrimit të të gjitha provave, pranimit të fajësisë nga ana e të pandehurit B.S, për veprën penale keqpërdorimi seksual i personave nën moshën 16 vjeçare e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej shtatë vjet.

I pandehuri akuzohet se në muajin janar të këtij viti në Ferizaj, ka keqpërdorur seksualisht të dëmtuarën fëmijë të moshës 13 vjeçare.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt, transmeton Klan Kosova.