Vetëm në periudhën gjashtëmujore të këtij viti nëpër qendrat korrektuese janë dërguar 51 të mitur, 48 prej tyre të paraburgosur, 2 me masë edukative dhe një i dënuar.
Sociologët dhe mjekët psikiatrikë janë të shqetësuar për rritjen e numrit të të miturve të përfshirë në veprat penale, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Numri i të miturve të përfshirë në vepra penale dhe në vepra të tjera ka shënuar rritje. Vetëm në vitin 2017 nga gjykatat themelore të Kosovës janë dënuar mbi 700 persona të mitur për vepra të ndryshme penale.
Sipas raportit vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, e cila ka paraqitur pasqyrën vjetore për të dënuarit sipas gjinisë dhe sipas grupmoshës, del që numri i të miturve të dënuar nga gjykatat është rritur i krahasuar me vitin 2015 dhe me vitin 2016.
Janë 766 të mitur ku përfshihen të rinjtë nga mosha 14 deri në 18-vjeçare të cilët janë dënuar në vitin 2017 nga gjykatat.
Numri më i madh i të miturve i takon gjinisë mashkullore dhe nga 766 sa ishin gjithsej, 40 prej tyre janë femra dhe 726 meshkuj.






