Lokale - eSIMy

S’i ka një javë që prej vendosjes së shportave për mbeturina përreth liqenit të Batllavës, shkruan Llapi.info.

Kjo ishte kërkesa e kamotshme e frekuentuesve të këtij liqeni, derisa komuna i vendosi dhjetëra të tilla në këtë anë.

Por, qytetarët sërish nuk po vetëdijesohen. Edhe pse aty është e cekur në tabelë se ndalohet rreptësishtë hedhja e mbeturinave në tokë, sërish qytetarët nuk e kanë përfillur një thirrje të tillë.

Në pamjet që ka publikuar drejtori i Shoqërisë Civile “Sundimi i Demokracisë në Kosovës”, Rexhep Zeka, i cili edhe ka qenë iniciator i shumë aktiviteteve për pastrimin e liqenit, shihet se mbeturinat sërish janë hedhur në tokë.

Madje, në pamjet shihet se mbeturinat kanë pushtuar atë pjesë, ndërkohë që shporta e vendosur për to, vazhdon të jetë e boshatisur.

Ditë më parë, Komuna e Podujeva ka bërë të ditur vendosjen e dhjetëra shportave të mbeturina skaj liqenit të Batllavës.

“Gjatë ditës së sotme janë vendosur dhjetëra shporta përreth liqenit të Batllaves, me qëllim të ruajtjes së mjedisit në këtë zonë. Në ditët në vijim do të bëhet vendosja e shportave të reja edhe te parku i pishave dhe në rrugët kryesore të qytetit. Komuna e Podujevës apelon te qytetarët për ruajtje të ambientit”, thuhej në njoftim.

Ndryshe, për pastrimin e këtij liqeni janë ndërmarrë aksione të shumta nga shoqëritë civile në bashkëpunim me qytetarët. Muajin e kaluar nga po ky liqen janë larguar rreth 400 thasë me mbeturina./Llapi.info