Kryetrajneri i Llapit Bekim Shotani nuk është ndarë aspak i kënaqur nga ajo se çfarë treguan futbollistët e tij në disfatën prej 2-0 nga Trepça ’89, me ç’rast llapjanët u eleminuan nga Kupa e Kosovës, njofton Llapi.info
“Nuk ishim në përformancën tonë më të mirë Kemi bërë shumë gabime dhe kemi patur probleme në të gjitha repartet. U munduam të ndryshonim diçka në pjesën e dytë të lojës, provuam gjithçka por nuk ja arritëm. Kur nuk arrin të realizosh në portën e zbrazët kjo tregon se çfarë dite kemi patur sot”, deklaroi Bekim Shotani për Super Sport Kosova.
Tekniku vushtrrias foli për objektivin e mbetur tani të Llapit, pasi që ai i DigitAlb Kupës tashmë është i humbur.
“Duke patur parasysh që objektivi i klubit ka qenë fitimi i kupës, tani na mbetet të luftojmë vetëm për titullin kampion. Nëse nuk arrijmë të shpallemi kampion, atëherë objektivat e klubit nuk do realizohen”, mbylli Shotani.
Llapi në vikend e pret Lirinë në kuadër të javës së 17-të në Ipko Superligë.