Dy zyrtarë policorë janë sulmuar fizikisht në fshatin Drobesh të komunës së Vitisë, gjatë një përpjekjeje për të arrestuar tre persona të dyshuar. Ngjarja ka ndodhur kur të dyshuarit kanë kundërshtuar me forcë arrestimin, duke iu shkaktuar lëndime trupore policëve, njofton Policia e Kosovës.
Sipas raportit policor, dy nga tre të dyshuarit janë arrestuar në vendngjarje, ndërsa njëri prej tyre ndodhet ende në arrati.
“Është raportuar se dy viktima meshkuj kosovarë – zyrtarë policorë, kanë hasur në rezistencë gjatë tentim-arrestimit të tre personave të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët i kanë sulmuar fizikisht. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor. Dy nga të dyshuarit janë arrestuar, ndërsa i treti gjendet në arrati. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, njëri nga të arrestuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.