Njohësi i çështjeve politike, Fitim Salihu, e ka komentuar largimin e Vjosa Osmanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në një deklaratë për Gazeta Blic, Salihu ka thënë se është e vërtetë që Vjosa Osmani, ka dalur kundër vendimeve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por thotë se një gjë të tillë po e bënë vazhdimisht edhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Salihu pyet zyrtarët e LDK-së, se pse nuk po e largoni edhe Lutfi Hazirin nga partia, teksa shton se vendimi i Këshillit të Përgjithshëm për shkarkimin e Osmanit, ka qenë i padrejtë.

“Vjosa Osmani ka të drejtë të ndjehet e hidhëruar me LDK-në. Shkarkimi i saj ka qenë i padrejtë dhe arsyetimi për shkarkimin i paqëndrushem. Është fakt që Vjosa Osmani ka dalë kundër shumë vendimeve të partisë së saj, mirëpo njëkohësisht është fakt që të njëjtën gjë, pra daljen kundër qëndrimeve të partisë, e kanë bërë edhe zyrtarë të tjerë të Lidhjes Demokratike (marrim shembull deklaratat e nënkryetarit tjetër të LDK-së, Lutfi Hazirit, i cili doli kundër vendimeve dhe veprimeve të kryeministrit Hoti), por që nuk e patën fatin e Vjosa Osmanit që të shkarkoheshin. Për rrjedhojë, mund të themi se hidhërimi ose rebelimi i Vjosa Osmanit në Lidhjen Demokratike është i bazuar”, ka thënë Salihu për GazetaBlic.

Salihu ka thënë se tashmë është e qartë që qëndrimet e Vjosa Osmanit, janë të afërta me ato të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke thënë se është e qartë që në të ardhmen do të ketë bashkëpunim mes tyre.

“Sa i përket të ardhmes së saj, Vjosa Osmani qartazi është e afërt me qëndrimet e Albin Kurtit dhe është i pritshëm një bashkëpunim mes tyre në zgjedhjet e radhës, kurdo që të mbahen ato. Por, nëse Vjosa Osmani tanimë ka vendosur që ta braktis Lidhjen Demokratike, unë mendoj që asaj do t’i konventonte më shumë të aderonte në Vetëvendosje sesa t’i bashkohej asaj si një rimorkio nga mbrapa me një listë të veçantë apo me një parti të re që potencialisht do ta themelonte”, ka thënë ai.

Tutje, ai thotë se me votat që Osmani arriti t’i merr në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, ka dëshmuar se është figurë politike nacionale.
Por, Salihu thotë se në rast se Vjosa Osmani, krijon parti të saj politike, ajo nuk do të mund të merrte vota më shumë se LDD-ja e Nexhat Dacit.

“Vjosa Osmani, me qëndrimet e saj dhe me numrin e votave që ka marrë 6 tetorin e vjetëm, ka dëshmuar se është figurë politike nacionale. Këtë staturë prej një lidereje nacionale ajo do të mund ta mbante vetëm në LDK ose në Vetëvendosje, por jam skeptik se do ta mbante edhe në një parti të re, e cila asnjëherë nuk besoj se do të mund ta kalonte në përqindje rezultatin e LDD-së së Nexhat Dacit nga zgjedhjet e vitit 2007. Shembull të këtillë, të një politikaneje grua me potencial të zhvillimit në lidere nacionale por që më pas e humb hapin nëpër miniparti, e kemi Mimoza Kusarin. E, Vjosa Osmani duhet të mësojë nga ky gabim i Mimoza Kusarit dhe ta ndajë mendjen – ose të vazhdojë në LDK ose të aderojë në VV. Zgjidhja përmes një partie të re nuk më duket një zgjidhje me stabilitet afatgjatë për karrierën e saj dhe për frymën që ajo e përfaqëson”, ka përfunduar deklaratën Salihu për GazetaBlic.