Prizren, 11 tetor – Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 (tridhjetë) ditësh, ndaj të pandehurit me iniciale I.B. nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor dhe veprës penale dhuna në familje.

Masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit, më 9 tetor 2019.

I dyshuari I.B. më 9 tetor, rreth orës 07:10 minuta në Prizren, në shtëpinë e nënës së të dëmtuarës me iniciale M.S., ish bashkshorte e tij, pas një fjalosjeje paraprake për shkak se atë ditë djali i tyre nuk shkonte në shkollë, ndërsa viktima kishte insistuar të shkonte, e në këtë rast i pandehuri i revoltuar nga qëndrimi i të dëmtuarës, pa leje nga familjarët e viktimës, kishte hyrë në shtëpinë e tyre dhe e kishte sulmuar fizikisht, duke e goditur me grushte. Po ashtu ia kishte marrë telefonin. Se a do të argumentohen këto fakte, do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.