Ndërtimi i sheshit në Podujevë si duket do të dështojë për të tretën herë radhazi. Ishte premtuar se i njëjti do të nisej së ndërtuari në vitin 2017, por tani nëntor 2019, Komuna e Podujevës ende s’ka nisur zyrtarisht punimet për ndërtimin e sheshit kryesor në këtë komunë, raporton Llapi.info.
Buxheti për ndërtimin e tij vit pas viti po shkon krejt diku tjetër. Rreth 1 milion euro të destinuara për këtë projekt, në vitin 2017 ishin rialokuar për asfaltimin e disa rrugëve dhe ndërtimin e trotuareve. Edhe vitin e kaluar ishte përsëritur. Rreth 700 mijë euro për këtë projekt janë rialokuar për ndërtimin e rrugëve në qytet dhe fshatra. Ndërsa, tani në vitin 2019, gati 400 mijë euro janë hequr vetëm nga projekti i ndërtimit të Bulevardit të Dëshmorëve, i cili nuk ka filluar ende.
Partitë opozitare në Podujevë dështimin e këtij projekti për gati tri vite radhazi, e patën cilësuar si projekt të rremë gjatë fushatës së fundit zgjedhore. Për këtë çështje është debatuar në seancën e fundit në Kuvendin e Podujevës, në pikën për propozimin vendimin për rialokimin e buxhetit të komunës për vitin 2019.
Në këtë seancë, zyrtarët opozitarë e kanë kundërshtuar mënyrën e shpenzimit të buxhetit nga ekzekutivi komunal. Ata kanë thënë se tash është vonë të zhvillohen procedura për projekte të reja dhe kanë paralajmëruar që në një seancë tjetër mund të ketë sërish rialokim të mjeteve. Rialokimin e ka mbështetur grupi parlamentar i LDK-së, teksa nga ky grup kanë kërkuar shpenzim më të mirë të buxhetit.
“Grupi i këshilltarëve të LDK-së e përkrah rialokimin e propozuar, duke shpresuar që në vitin e ardhshëm të bëhet një shpenzim më i mirë. Rialokimin e buxhetit e lejon ligji, por mendoj se kjo do të shkaktojë vështirësi në buxhetin e ardhshëm”, ka shtuar shefi i këtij grupi, Avni Fetahu.
Të paqëlluar propozim-vendimin për rialokim të buxhetit e ka quajtur edhe këshilltari i VV-së, Vendenis Lahu. Ky i fundit ka thënë se në njërën prej seancave do të ketë sërish rialokim të mjeteve pasi nuk ka kohë për procedura të reja.
Arbër Blaku i PDK-së ka pasur vërejtje për heqjen e mjeteve nga Bulevardi i Dëshmorëve duke thënë se kjo po ndodh prej kur është këshilltar komunal.
“Te kodi 30 i Bulevardit po përsëritet qe disa vjet rialokimi, merr këndej e ço andej. Kjo u bë e tepërt, hiqne krejt Bulevardin”, ka thënë ai.
E pas këtyre akuzave, drejtori i Drejtorisë së Urbanizimit, Hamdi Jaha është munduar të arsyetohet duke thënë se kjo po bëhet me shkas të ankesave të procedurave.
“Është e vërtetë se Bulevardi ka qenë sivjet. Vitin e kaluar është dashtë me heq se ishte bllokuar rruga. Sivjet e kemi procedua në maj, po ankesë pas ankese edhe tash ka ankesë në OSHP. Është çështje procedurash. Ky projekt është dyvjeçar 2019-2020”, ka thënë Jaha.
Këshilltari nga radhët e PDK-së, Rafet Llapashtica, e ka pyetur drejtorin Jaha si do të mund ta realizojë këtë projekt vetëm për 1 vit, kur nuk ka mundur ta fillojë sivjet?
“Ti po thua me ia nisë, po as procedurat s’i ke krye. Çka ke punua qe një vjet në shesh. Tash projektin dyvjeçar po do me krye për një vit edhe po i hjek paret. Ka qenë zotim i LDK-së po edhe i yti drejtor që nuk kalon nëntori pa hartën zonale. Nëse sheshi ndërtohet, Plan Zhvillimor Urban nuk kije, hartë zonale nuk ka, po ndërtohet pa plan. Kështu është se në Podujevë po punohet pa plan. Nëse e ndërton sheshin, komunikacioni nuk funksionon, komunikacioni do të zhvillohet kah rruga ‘Skënderbeu’. Tash a ke me ndërtua sheshin a rrugën ‘Skënderbeu’, cili do të ndërtohet se dyja nuk mundesh?. A do të vije harta zonale në Podujevë. Me fut mjete edhe në vitin 2020 pa plan kjo ndodh veç te shqiptarët. Pra, ja ka me u ndërtua rruga “Skënderbeu” ose sheshi. Në këtë vit s’mundesh se kemi hyrë në sezonin dimëror”, ka thënë Rafet Llapashtica.
Në një përgjigje në lidhje me këtë, drejtori Jaha ka potencuar se në të ardhmen janë programet për rregullimin e qytetit.
“Sheshi ka filluar, ai veç koha deri të përfundon dhe fillon”, ka thënë Jaha.
Por, në këtë përgjigje është “tallur” Rafet Llapashtica, duke përsëritur fjalën e drejtorit “sheshi ka nisur, por pritet të fillojë”.
“Ti po thua se sheshi ka nisur, por punimet pritet të fillojnë. Me një fjalë sheshi s’ka nisur me u ndërtua hiç. Nuk ia ke dhanë të drejtën një kompanie për fillimin e sheshit, e jo me ja nis se mjetet po i hjek prej buxhetit. Nëse projekti është dyvjeçar, qa është punuar në sheshin e dëshmorëve? Deri tash është dashur të kryhet gjysma e punës se është projekt dyvjeçar, ti për një vit s’mundesh me i krye punimet”, ka thënë ai.
Edhe pse pati shumë kundërshtime, kjo pikë e rendit të ditës u miratua në Kuvend me shumicë votash, teksa kundër dolën dy partitë opozitare në Podujevë, gjegjësisht Vetëvendosje edhe PDK-ja.
Ndryshe, më propozim-vendimin e kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliu, i është propozuar Kuvendit rialokimi i 438,290 euro. Nga ndërtimi i Bulevardit dhe Sheshit të Dëshmorëve në qendër të qytetit hiqet shuma 382,115 euro. Të gjitha këto mjete rialokohen në ndërtim të rrugëve dhe asfalt dhe në projektin zgjerimi, ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës “Zahir Pajaziti” dhe “Skënderbeu”. Pastaj 8,637 euro të kanalizimit fekal në Pakashticë të Epërme dhe 17,538 të zgjerimit të shtratit të lumit Llap shkojnë në rregullimin e hapësirave publike, zgjerim të rrjetit të ujësjellësit dhe ndërtimin e rindërtimin e ndriçimit publik. Po ashtu 30 mijë euro nga mallrat dhe shërbimet transferohen në shpenzime komunale./Llapi.info







