Recep Altundas nga Bursa e Turqisë, është 93-vjeçari i dytë turk që u shërua nga coronavirusi.
Gjatë ditës së djeshme, moshatarja e tij Alye Gunduz u duartrokit nga mjekët, derisa po largohej e shëruar nga një spital në Stamboll, transmeton Telegrafi.
Të njëjtën përcjellje me duartrokitje, e realizuan edhe stafi i spitalit në Gemlik, ku Altundas u trajtua për një javë.
Atë e kishin dërguar në spital, pasi kishte 19 simptoma të coronavirusit, por tani që gjendja tij është e mirë, është lëshuar për trajtim të mëtutjeshëm në shtëpi.
“Unë nuk kam dalë asnjëherë nga shtëpia, nuk e di se ku jam infektuar”, ka thënë ai për medie, duke mos ditur se nga kush është infektuar.
Së bashku me të, për trajtim të mëtutjeshëm në shtëpi janë lëshuar edhe tetë përsona të tjerë.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur, se deri më tani në Turqi kanë vdekur 1,101 persona nga coronvirusi, derisa 52 mijë tjerë janë të infektuar.