Lokale - eSIMy

Sot, në fshatin Letanc të Podujevës është shënuar 40-vjetori i hapjes së Shkollës Fillore “Hyzriu e Samiu”, njofton Llapi.info

Të pranishëm në solemnitetin e organizuar me rastin e 40-vjetorit të hapjes së kësaj shkolle ishin u.d i Drejtorisë së Arsimit në Podujevë, Agim Blakçori, drejtorë të shkollave, mësimdhënës si dhe të ftuar të tjerë.

Drejtori Blakçori me këtë rast ka uruar këtë ditë, duke shtuar se dija në këtë institucion duhet vazhduar edhe më tej.

“Për katër dekada në këtë tempull të dijes shumë ithtarë të dijes dhanë dije në këtë institucion. Andaj është e pamundur të mos përkujtohen të gjithë ata që dhanë aq shumë për dije edukimin dhe arsimimin e breza të rinj. Nga ky institucion dolën gjenerata që dhanë kontribut në lirimin dhe pavarësimin e shtetit tonë. Misioni i gjeneratës tonë i nisur 40 vite më parë të vazhdohet më tutje, ku nxënësit të jenë konkurrentë të denjë me moshatarët e tyre edhe në nivel vendi, por edhe  më gjerë”, ka thënë ai.

Ndërsa, drejtori kësaj shkolle, Kenan Blakçori ka përshkruar historikun e kësaj shkolle.

“Shkolla Fillore në Letanc filloi së ndërtuari në vitin 1977, me vet kontributin e fshatarëve që fshati të ketë shkollë dhe të mos mbetej mbrapa. Kontribut të madh ka dhënë edhe bashkësia komunale në Podujevë. Inaugurimi i kësaj shkolle u bë në nëntor të vitit 1978”, ka thënë ai duke i përmendur edhe mësimdhënësit e parë në këtë institucion.

Me këtë rast, u ndanë edhe mirënjohje për ata që kontribuuan ndër vite. Për fund nxënësit e konkretizuan këtë ceremoni duke dhuruar shfaqje me këngë e humor, derisa të pranishmit u nderuan edhe me një koktej rasti./Llapi.info