Një ndërtesë 7-katëshe është shembur në mëngjesin e 29 tetorit në distriktin Gebze të provincës Kocaeli, në pjesën veriperëndimore të Turqisë, duke lënë të paktën pesë persona të bllokuar nën rrënoja, shkruajnë mediat e huaja.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë, teksa ekipet e emergjencës garojnë me kohën për të gjetur të mbijetuarit.
Guvernatori i Kocaelit, İlhami Aktaş, në një transmetim të drejtpërdrejtë, tha se autoritetet ende nuk kanë përcaktuar shkakun e shembjes. “Prioriteti ynë është shpëtimi i atyre të bllokuar nën rrënoja”, shtoi ai, duke konfirmuar se pesë anëtarë të një familjeje ndodheshin brenda ndërtesës në momentin e incidentit.
Pas raportimeve për shembjen, policia, zjarrfikësit, ekipet mjekësore dhe stafi i Presidencës për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) u dërguan menjëherë në vendngjarje.
Ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya, njoftoi se 147 punonjës të kërkim-shpëtimit, përfshirë 80 nga AFAD, po marrin pjesë në operacion bashkë me ekipe të OJF-ve dhe bashkive. Për të ndihmuar punën u angazhuan dy qentë shpëtimtarë, tetë pajisje për zbulimin e rrënojave, dy dronë dhe 52 automjete.
Dëshmitarët raportuan se dëgjuan zëra nga brenda rrënojave teksa ekipet vazhdonin të gërmonin. Raportet paraprake sugjerojnë se në ndërtesë jetonin dy familje. Një familje raportohet se ishte jashtë qytetit për një dasmë, ndërsa tjetra besohet të jetë nën rrënoja.
Sipas raportimeve, ka dyshime se ndërtesa është shembur prej punimeve nëntokësore që po kryheshin.






