Pas dy ditësh rënie, SHBA-ja regjistroi sërish një rekord të errët prej më shumë se 2.200 të vdekur në 24 orë nga coronavirusi i ri, bilanci më i rëndë i regjistruar nga një vend, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Ndërkohë që numri i të vdekurve ishte ulur dy ditë më parë në rreth 1.500 të dielën dhe të hënën, SHBA-ja ka regjistruar 2.228 të vdekur në orën lokale 20:30, sipas shifrave të universitetit, të aktualizuara në vazhdimësi.

Kjo e çon bilancin amerikan në 25.757 të vdekur në total, raporton ATSh.

Rekordi i mëparshëm i të vdekurve në një ditë prej 2.108 u regjistrua të premten në SHBA.

SHBA-ja është vendi më i goditur nga COVID-19, para Italisë me më shumë se 21.000 të vdekur, Spanjës me më shumë se 18.000 të vdekur dhe Francës me më shumë se 15.700.