Ambasada e Amerikës në Prishtinë sot ka njoftuar se SHBA ka zotuar edhe pesë milionë dollarë për pastrimin e mbetjeve të municioneve kasetore dhe të mbetjeve të tjera shpërthyese të luftës (ERW) në Kosovë.
I paraparë të zbatohet brenda katër vjetëve (2020-2023), sipas njoftimit, ky program pritet t’ia kthejë popullit të Kosovës së paku 4,298,442 metra katrorë tokë të rrezikshme.
“Ky është kontributi i vetëm më i madh i financimit për shkatërrimin e armëve konvencionale nga Shtetet e Bashkuara në Kosovë që kur SHBA-ja filloi programin e saj në Kosovë në vitin 1996. Ky kontribut do t’i adresojë vendet me ndikim të lartë që janë të kontaminuara me municione kasetore dhe ERW, duke ua kthyer përfundimisht tokën e kontaminuar me mbetje të minave tokësore autoriteteve për ta adresuar me kapacitetin e tyre kombëtar”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, prej vitit 1996 deri në vitin 2019, programi i SHBA-së për shkatërrim të armëve konvencionale ka investuar më shumë se 9,7 milionë dollarë në mbështetje të përpjekjeve të Kosovës për ta adresuar trashëgiminë e municioneve kasetore dhe ERW.
“Nga tetori i vitit 2016 deri në qershor të vitit 2019, Shtetet e Bashkuara kanë mundësuar që popullit të Kosovës t’i kthehen 3,254,566 metra katrorë tokë. Deri në fund të vitit 2020, Shtetet e Bashkuara do të kenë kontribuar në kthimin e së paku 4,288,561 metrave katrorë tokë që nga tetori i vitit 2016. Programi i Shteteve të Bashkuara për armë konvencionale në Kosovë zbatohet nga HALO Trust [TrusTit HALO] dhe Norwegian People’s Aid Ndihma e Popullit Norvegjez me mbështetje të Qendrës së Kosovës për Veprim ndaj Minave”, thuhet tutje në njoftim.