Një zyrtar i lartë i qeverisë amerikane ka njoftuar se SHBA-ja mund të vendosë sanksione të reja për ta shtuar presionin ndaj presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, për shkak të bllokimit të ndihmave humanitare në kufi.
Ky zyrtar ka thënë se zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, dhe disa liderë tjerë perëndimorë do të takohen të hënën në Bogota të Kolumbisë. Qëndrimet e tyre do të varen nga zhvillimet në kufi gjatë kësaj fundjave, por pritet që ata ta shtojnë presionin ndaj presidentit Maduro.
“Nëse ka dhunë ose ndonjë reagim tjetër negativ nga forcat e armatosura të Venezuelës, liderët mund të marrin masa që janë paralajmëruar më herët nga zëvendëspresidenti Pence dhe shtetet tjera për t’i shtuar sanksionet ekonomike”, ka thënë ky burim në kushte anonimiteti.
Pence do ta udhëheqë delegacionin e Shteteve të Bashkuara në takimin e grupit “Lima” dhe mbetet të shihet se cilat masa do t’i propozojë ai. SHBA-ja ka dërguar ndihma humanitare për popullin e Venezuelës, por ato janë bllokuar në kufi me Kolumbinë.
Ky veprim i ka zemëruar Shtetet e Bashkuara, të cilat po kërkojnë që ndihmat të hyjnë në mënyrë paqësore, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.






