Shatë herë kampioni i Evropës dhe njëri ndër klubet më të mëdha në botë, Milani, sot zbret në Kosovë për të hapur një epoke të re për futbollin dhe për sportin e Kosovës.
Ardhja e Milanit ka bërë jehonë në të gjitha trojet shqiptare, derisa është Feronikeli skuadra me fat e Kosovës, e cila do ta luajë në këtë supermiqësore e që do të mbahet mend gjatë.
Milani është skuadra më e madhe që ndonjëherë ka zbritur në Kosovë dhe kjo ka bërë që mobilizimi të jetë i jashtëzakonshëm.
Tifogrupi shqiptar i Milanit ka thënë se në stadium skuadra italiane nuk do të jetë e vetmuar, pasi do ta ketë një mbështetje të madhe, derisa edhe tifozët shqiptarë nga Shqipëria e nga Maqedonia Veriore kanë paralajmëruar ardhjen në Prishtinë.
Pas pak orësh Milani do të zbarkojë në Aeroportin e Prishtinës, ndërsa gjatë ditës janë paraparë disa aktivitete, ku përveç konferencës për shtyp në orën 14:00, veçohet vendosja e trofeut të Championsit në sheshin “Nëna Terezë”, aty ku edhe do ta kenë rastin shumë njerëz ta shohin dhe të bëjnë foto.
Ndeshja mes Milanit dhe Feronikelit zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 20:45.






