Xherdan Shaqiri është shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes së fundit në Grupin A mes Zvicrës dhe Turqisë, pasi me paraqitjen e tij e frymëzoi kombëtaren helvetike drejt fitores së rëndësishme 3:1 të dielën në Baku.

Sulmuesi shqiptar i shënoi dy gola dhe i krijoi dy mundësi të tjera për t’i ndihmuar Zvicrës ta arrijë fitoren e parë në këtë turne, e cila ia mban asaj gjallë shpresat për kualifikim në mesin e 16 më të mirëve, raporton Gazeta Express.

Zvicra përfundoi në vendin e tretë me pikë të barabarta me Uellsin, por kjo e fundit u kualifikuar direkt falë goldallimit më të mirë. Prandaj, Zvicra shpreson se do të jetë njëra prej katër skuadrave nga gjashtë grupe që kualifikohen nga pozita e tretë.

Pas dy paraqitjeve të zbehta në barazimin me Uellsin në ndeshjen hapëse dhe në humbjen kundër Italisë, ishte koha e fundit që Shaqiri të dilte në skenë për Zvicrën.

Ai e bëri këtë atëherë kur iu desh më së shumti zviceranëve, duke shënuar dhe krijuar për 75 minuta lojë në fushë.

29-vjeçari e pati 51 herë topin në këmbë, nga to ai goditi shtatë herë në drejtim të portës (katër herë brenda kornizës), harkoi gjashtë herë në zonë, i pati dy driblime të suksesshme dhe i krijoi dy shanse.

Shaqiri shënoi gol spektakolar me këmbën e tij të dobët, të djathtë, nga rreth 20 metra lartësi, në minutën e 26-të, para se të realizonte për herë të dytë në këtë takim në minutën e 68-të.

Ky është evropiani i dytë radhazi që ylli i Liverpoolit shënon gol, ndërsa turneu i katërt i madh që shënon gol radhazi, pas Botërorit 2014, Euro 2016 dhe Botërorit 2018.