Lokale - eSIMy

Festë për liberalizimin e vizave kanë pasur kosovarët që nga viti 2010 – ani pse kjo kurrë nuk ndodhi, tek sot kjo çështje është në agjendën e Këshillit të Evropës. Por pavarësisht kësaj, qytetarët do ta mbajnë mend gjatë festën dhe hapjen e shampanjës në zyre të shtetit nga ish-ministri i Integrimeve Evropiane Bekim Çollaku. A do të ketë sot vend për hapje të një shampanje tjetër?

Në rendin e ditës së grupit punues të Këshillit Evropian sot në agjende është diskutimi rreth çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën.

Presidenca çeke e BE-së tashmë u ka dërguar letër vendeve anëtare si paralajmërim për diskutimet për këtë temë. Pritjet janë që të shtyhet përpara kjo çështje – e cila ka mbi 10 vite që kosovarët anashkalohen nga heqja e vizave, ndonëse në vazhdimësi ka pasur premtime e rekomandime.

Madje ndër vite edhe është festuar në Kosovë pasi që zyrtarët e lartë të shtetit e kishin promovuar si punë të kryer heqjen e vizave për kosovarët, shkruan Gazeta Insajderi.

Liberalizimi i vizave sot në rend dite në BE

“Festat” për liberalizimin e vizave për kosovarët kanë nisur qysh nga viti 2010 – atëherë kur kur Kryeministri Hashim Thaçi ishte i bindur se brenda pak muajsh do të mund të udhëtohet në vendet e Bashkimit Evropian.

“Unë jam i zotuar t`i implementoj të gjitha kriteret demokratike bile edhe për më pak se 15 muaj që Kosova t`i kryen obligimet e veta për liberalizimin e vizave. Ndërsa kam besim të plotë dhe konfirmim edhe nga Brukseli, se Brukseli nuk do të vonohet më tepër se 15 muaj”, tha Thaçi në vitin 2010.

Liberalizimi nuk ndodhi brenda 15 muajsh siç premtoi Thaçi. Ai përfundoi mandatin e qytetarët kosovarë mbetën të izoluar, shkruan Gazeta Insajderi.

Erdhi viti 2015. Isa Mustafa si kryeministër dha një datë për liberalizim.

“Jemi të sigurt që në vitin 2016 qytetarët tanë do të udhëtojnë pa viza”, thoshte ai nga mbledhja e qeverisë.

Madje në një emision televiziv Mustafa e kishte cilësuar këtë si moment historik.

“Është një ditë mund të them pak e vonuar, por është një ditë shumë e merituar e qytetarëve të Kosovës”, thoshte kryeministri i atëhershëm Mustafa.

Në vitin 2016 në skenë për të uruar qytetarët u shfaq prapë Hashim Thaçi. Kësaj here në rolin e Presidentit të Kosovës.

Thaçi uroj kosovarët për liberalizim.

“Të nderuar qytetarë urime liberalizimi i vizave”, thoshte Thaçi nga presidenca.

Festën më “madhështore” kosovarët e panë në zyrën e ministrit të Integrimeve Evropiane Bekim Çollaku. Ky i fundit edhe hapi shampanjën për të shënuar liberalizimin.

“Urime juve dhe qytetarëve se na si zyrtarë dhe si ministra kena pas viza gjithë e se kena pas problem por më në fund e zgjidhëm problemin e qytetarëve të zakonshëm”, thoshte i entuziazmuar Çollaku.

Edhe Artan Abrashi si Ministër i Mirëqenies Sociale atëkohë uroj kosovarët.

“Urime Liberalizimi. Urime Kosovë”, thoshte Abrashi.

Por BE-ja nuk mori vendim për liberalizimin e vizave, e qytetarët nuk mundën të lëvizin të lirë në vitin 2016 ani pse u uruan e u festua, shkruan Gazeta Insajderi.

Një festë e madh nisi edhe në vitin 2018.

Ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha

“Ne jemi optimist që qytetarët e Republikës së Kosovës do të lëvizin të lirë brenda vitit 2018”, thoshte Hoxha.

Një deklaratë me epike në vitin 2018 e pati kryeministri Ramush Haradinaj.

Ai me 23 mars të atij viti tha se liberalizimi i vizave ka ndodhur pardje.

“Liberalizimi I vizave ka ndodhur pardje”, tha Haradinaj.

As në vitin 2018 qytetarët nuk e gëzuan liberalizimin, ani pse zyrtarët e lartë të shtetit e promovonin si punë të kryer.

Tek pas katër vitesh, tash në 2022 çështja e liberalizimit ka hyrë në agjendën e Këshillit Evropian. /Gazeta Insajderi