Zyrtarët policorë Arben Shala dhe Tafa Murseli, të cilët akuzohen për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, janë rishpallur fajtorë të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Ata akuzoheshin se nga i dëmtuari Sevdaim Bakija, kishin pranuar 100 euro, për të mos hapur rast, pasi Bakija kishte shkaktuar aksident trafiku, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Shala dhe Murseli janë dënuar me gjashtë muaj burgim, ashtu siç ishin dënuar edhe me 14 nëntor 2017, por pas ankesave në shkallën e dytë, Gjykata e Apelit, në mars 2018 rastin e kishte kthyer në rigjykim.
Aktgjykimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi.
Sipas Foniqit, me pëlqimin e dy të akuzuarve dënimi me burgim mund t’u zëvendësohet në dënim me gjobë në shumë prej 3.600 euro, secilit veç e veç.
Nëse të akuzuarit do të japin pëlqimin që dënimi me burgim t’u zëvendësohet në dënim me gjobë, nga gjoba prej 3.600 euro, do tu hiqen 600 euro.
Në të kundërtën nëse të akuzuarit nuk e japin pëlqimin për zëvendësimin e këtij dënimi, dënimin do ta mbajnë pasi ky aktgjykim të marrë formën e prerë.
Në dënimin e shqiptuar, të akuzuarve u është llogaritur edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak nga 26 shkurti deri me 26 mars 2014.
Po ashtu, dy të akuzuarit janë detyruar t’i paguajnë edhe shpenzimet e procedurës, ndërsa në emër të paushallit gjyqësor secili nga 100 euro.
I dëmtuari Bakija për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 nëntor të vitit 2017, Arben Shalën dhe Tafa Murselin, i kishte shpallur fajtorë për veprën penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare”.
Për këtë vepër, gjykata e shkallës së parë, dy zyrtarëve policorë u kishte shqiptuar nga gjashtë muaj burgim efektiv, por pas ankesave në shkallën e dytë, Gjykata e Apelit, në mars të vitit 2018, këtë rast e kishte kthyer në rigjykim.
Ndryshe, Tafa Murseli dhe Arben Shala, akuzohen se në cilësinë e zyrtarëve policorë, më 20 shkurt 2014, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në Prishtinë, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare.
Ata akuzohen se pasi nga i dëmtuari Sevdaim Bakija, i cili kishte shkaktuar aksident duke vozitur në gjendje të dehur, kanë pranuar 100 euro, me qëllim që të njëjtit mos t’i hapet rasti penal.






