Lokale - eSIMy

Serbët të cilët i bashkohen Ushtrisë së Kosovës, sipas Ligjit Penal të Serbisë do të ballafaqohen me dënim me burg prej 10 vjetëve.

Serbia përsëri kërcënon serbët me dënime dhjetëvjeçare nëse i bashkohen Ushtrisë së Kosovës
Pasi kah fundi i vitit 2018 Kosova i ka ndërmarrë masat për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, në tremujorin e parë të këtij viti pritet që fillimi i procesit të regrutimit të pjesëtarëve të rinj në forcat ushtarake, në të cilën, pritet që do të gjejnë vend edhe serbët.

Ministri i mbrojtjes së Kosovës Rrustem Berisha pretendon se përkundër presioneve nga Beogradi, për 70 vende të lira për shërbim në Ushtrinë e Kosovës tashmë janë paraqitur madje 300 pjesëtarë të komunitetit serb. Mirëpo, Igor Simiq nga Lisa Serbe ka deklaruar për “Telegraf.rs” se “bëhet fjalë për gënjeshtër, gjegjësisht fake news”. Siç shton, qëllimi i këtij pretendimi është “që t’i bindë pjesëtarët e komunitetit ndërkombëtarë për multienticitet.

“Le të merret vesh Berisha me miqtë e tij në Qeverinë e Kosovës se a janë paraqitur apo janë demobilizuar pjesëtarët serb. Edhe pse nuk posedojmë me numra të sakta, ajo çfarë mund të them është se numri i njerëzve tanë të cilët kanë qenë në FSK po zvogëlohet, dhe se është e sigurt se më tepër se 70 për qind të serbëve e kanë braktisur këtë institucion”, ka thënë Simiq.

Sipas Simiqit, nga raportet e vitit 2017 në FSK kanë qenë 247 pjesëtarë të komuniteteve pakicë, në mes të cilëve janë edhe serbët, mirëpo “të dhënat e medieve tregojnë se gjatë vitit 2018 në FSK kanë hyrë 63 serb, derisa 80 prej tyre kanë vendosur të demobilizohen”, pretendon Simiq.

Rroga e ushtarit në Ushtrinë e Kosovës është 405 euro, dhe të ardhurat e oficerëve i tejkalojnë 1.600 euro, derisa të ardhurat mesatare në Kosovë janë rreth 275 euro.

Përkundër kësaj, sipas Ligjit Penal të Serbisë, ata serbë të cilët i bashkohen Ushtrisë së Kosovës do të ballafaqohen me dënim me burg deri në 10 vjet./Insajderi.com.