Problemet me Serbinë Kosova i ka të pazgjidhura, por kur vjen puna te shkëmbimi tregtar, gjërat ndryshojnë.

Këtij ndryshimi efektin po ia sheh vetëm Serbia. Brenda 5-mujorit të parë të këtij viti nga Serbia për në Kosovë janë importuar mallra me vlerë afërsisht 132 milionë euro.

Vitin e kaluar nga Serbia për në Kosovë kanë hyrë 261 milionë kilogramë produkte, me vlerë mbi 300 milionë euro.

“Nëse krahasohet viti i kaluar me vitin aktual, në pesë muajt e parë shohim se nga Serbia vjet kemi importuar 261 milionë kilogramë produkte. Ndërsa këtë vit ka më pak, rreth 8 milionë kilogram mallra. Është ulur sasia e produkteve, por vlera ka shënuar rritje, për shkak të shtrenjtimit të çmimeve të produkteve”, shprehen nga Dogana e Kosovës.

Krahas importit që është shumë i madh, edhe eksporti i Kosovës për në Serbi ka shënuar rritje të vogël.

“Brenda pesë muajsh janë eksportuar mallra në vlerë afërsisht 25 milionë euro. Shifra pozitive, Kosova ka shënuar edhe në eksportin e mallrave në raport me shtetet e tjera”. Deri më tani janë eksportuar rreth 354 milionë euro mallra. Ndërsa deri në fund të vitit, sipas Doganës së Kosovës, vlera e eksportit pritet të arrijë vlerën 900 milionë euro.

Serbia i zë vendin Shqipërisë

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, aktualisht deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kritikuar Qeverinë Kurti, pasi sipas tyre, dikur i rrotullonin kamionët që importonin mallra nga Serbia e në vitin 2021 Serbia kthehet në vendin e parë me mallra në Kosovë, me rritje prej 76%.

Në një postim në Facebook, Hoti shkruan: “Më 2020, Shqipëria ishte vendi i parë në rajon prej nga Kosova importonte mallra, Maqedonia e Veriut e dyta, ndërsa Serbia e treta. Në vitin 2021, trendi ndryshon. Serbia kthehet në vendin e parë, me rritje prej 76%. Njëherë e një kohë, disa i rrotullonin kamionët që importonin mallra nga Serbia. Njëherë e një kohë, disa zotoheshin për reciprocitet”, shkruan Hoti.

Albin Kurti, pasi u emërua kryeministër herën e parë, mori vendim për heqjen e taksës 100% që e kishte vendosur Ramush Haradinaj për produktet serbe. Kjo pas presioneve të mëdha ndërkombëtare. Por, pak ditë para se të bëhej kryeministër për herë të dytë, në një intervistë së bashku me Presidenten Vjosa Osmani kishte premtuar se do të vendoste masën e reciprocitetit për Serbinë.

Siç thoshte Kurti në vitin 2021, vendosja e masës së reciprocitetit do të jetë çështje ditësh e javësh, por kurrsesi muajsh. Megjithatë që nga ajo kohë kanë kaluar më shumë se një vit dhe Kosova nuk e ka vendosur reciprocitetin ndaj Serbisë.

Si rezultat, importi nga Serbia nga viti 2019 kur Kosova i kishte vendosur taksën, deri në vitin 2021, është rritur ndjeshëm, duke i kaluar 300 milionë euro.

Për këtë fakt, ditë më parë pati reaguar edhe zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu, i cili ka provuar të japë sugjerime se cila periudhë me cilën duhet krahasuar.

“Një javë i krahasojnë importet nga Serbia me vitin 2020, kur kishte masa të theksuara kufizimesh, sa që për shkak të pandemisë, edhe kufijtë u patën mbyllur. E kur nuk u duket e mjaftueshme, i krahasojnë me vitin 2019 kur ishte vendosur tarifa 100%. Atë vit, së paku zyrtarisht, importi kishte rënie, por raftet e marketeve vazhdonin të ishin të mbushura me mallra serbe, meqë çka më parë futej zyrtarisht, kishte filluar të hynte si kontrabandë.
Por, assesi nuk i sheh të bëjnë krahasime me vitet 2017 apo 2018, vite normale të shkëmbimeve tregtare. Sepse pastaj do të detyroheshin të flisnin për rënie reale të importit nga Serbia për rreth 32%, përkatësisht 20% – edhe pas rritjes së gjithmbarshme të importit, rritjes së inspektimeve dhe inkasimit të doganave, si dhe mbylljes së rrugëve jolegale që përdoreshin për kontrabandë, sidomos në Veri të vendit. Në vitin 2017, Serbia ishte në vendin e parë prej nga ne importonim, ndërsa në vitin 2021 dhe këtë vit, zë vendin e katërt”, ka shkruar Kryeziu në profilin e tij zyrtar.

Në fund të reagimit të tij, Kryeziu thotë se s’flitet për faktin e rritjes së shkëmbimit tregtar me Shqipërinë.

“Në të njëjtën kohë, rrallëherë flasin për rritjen e vazhdueshme të shkëmbimeve tregtare, në veçanti me vendet mike si Gjermania, Turqia, e Shqipëria. Aq më pak, për rritjen e vazhdueshme të shkëmbimit tregtar me Shqipërinë. Në Shqipëri e nga Shqipëria, ne sot eksportojmë dhe importojmë më shumë se çdo herë më parë”, thotë në fund të reagimit, Kryeziu.

Mirëpo edhe kryeministri Albin Kurti, kur fliste për rritje ekonomike, e bënte krahasimin me vitin 2020, kur ishte pandemia Covid 19.

“E arritur e theksuar këtë vit është rritja ekonomike, praktikisht dyshifrore që ka bërë të kemi një bonus prej 800 milionë eurosh në ekonominë tonë. Janë rritur të hyrat, janë zvogëluar shpenzimet e qeverisë, janë rritur të hyrat buxhetore dhe janë zvogëluar shpenzimet qeveritare. Të hyrat buxhetore janë rritur me 30%, eksportet krahasuar me vitin 2020 me 90% e madje 90% krahasuar me vitin 2019. Investimet e Huaja Direkte janë rritur krahasuar me vitin e kaluar me 53%, e 80% krahasuar me vitin 2019 sa u përket muajve të parë të vitit, ose tremujorëve të parë siç bëhen matjet. Është interesante si në tremujorin e dytë kishim rritje ekonomike prej 16.3% ndërsa në tremujorin e tretë 14.3%”, kishte thënë Kurti.

Në një muaj, Kosova importoi rreth 500 milionë euro mallra

Edhe statistikat e Agjencisë së Statistikave e tregojnë se Kosova po vazhdon të jetë e varur nga importi i mallrave, kur në mars të këtij viti, shumë mallra nga shtetet e huaja kanë hyrë në vendin tonë.

Nuk do shumë analizë që të tregohet se Serbia vazhdon të jetë e para në këtë listë.

“… importet nga vendet e CEFTA-s në muajin mars 2022 arritën në 93.2 milionë euro, ose 18.9% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 30.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.5%), Shqipëria (5.8%), Maqedonia e Veriut (5.3%)”, thuhet në raportin e ASK-së.

Kurse importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) ishin rreth 205.4 milionë euro, ose 41.6% e importeve të përgjithshme, me rritje prej 11.1%.

“Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (10.6%), Greqia (4.8%), Italia (4.5%), etj.”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin mars 2022. Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 195.2 milionë euro, ose 39.5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia (13.8%) dhe Kina (10.5%).

Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për deficit tregtar më të lartë për 26.4% në muajin mars 2022, në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2021, përkatësisht në vlerë 405.3 milionë euro, krahasuar me deficitin 320.7 milionë euro në vitin 2021.

Eksporti mbulon importin me 17.9%

Në tregun e Kosovës, gjatë këtij viti, është importuar sasi më e vogël e produkteve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, por importet janë paguar më shtrenjtë. Të dhënat e Doganave për periudhën nga janari deri më 20 maj, tregojnë se Kosova ka importuar 1.6 miliardë kilogramë produkte të ndryshme, në vlerë financiare rreth 2 miliardë euro. Gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar janë importuar 1.9 kg produkte, që kanë kushtuar mbi 1.5 miliardë euro.

Thënë ndryshe, sasia e mallrave të importuara ka rënë për 11%, ndërsa vlera financiare e tyre është rritur për 21%. Ministri i Financave dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati, ka thënë në një mbledhje të Qeverisë, ditë më parë, se rritja e vlerës financiare të importeve – që nënkupton rritje të të hyrave në Doganat e shtetit – është rezultat i rritjes ekonomike në Kosovë dhe rënies së ekonomisë joformale.

Javë më parë, për dy ditë me radhë në Amsterdam u mbajt panairi më i madh në botë për ‘Private Label’. Në këtë panair morën pjesë më shumë se 3,500 kompani prodhuese.

Nga Kosova ishin 13 kompani, nga rajoni vetëm Serbia kishte më shumë. Kurse, Klubi i Prodhuesve të Kosovë ishte pjesëmarrës me 7 kompani Drejtori Ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, thotë se me këto zhvillime po tregohet se prodhuesit janë të gatshëm për eksport, e ekonomia e Kosovës gradualisht po konsolidohet në rajon si lojtar serioz.

“Ky fakt u vërtetua me interesimin që u shpreh për produktet tona, secila kompani kishte mesatarisht 50 takime me blerësit potencialë. Sipas Mckinsey Company, për të gjeneruar një ‘business lead’, kompanitë duhet të shpenzojnë mesatarisht rreth 2000 dollarë. Bëjeni matematikën për të kuptuar rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë panair! Dhe rezultatet nuk munguan, dy kontrata të nënshkruara në panair dhe shumë të tjera janë në proces negocimi”, ka shkruar Panxha.

Ai ka thënë se vitin e kaluar, eksportet e Kosovës arritën në 740 milionë euro, ndërsa sivjet, duke u bazuar në trendin ekzistues, pritet që eksportet të tejkalojnë 1 miliard euro.

“Fytyra e vërtetë e ekonomisë së Kosovës po del në sipërfaqe, e bukuria qëndron në faktin se më në fund, po ndodh zhvendosja sistematike dhe po shtrohet traseja për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të bazuar në krijimin e jo në konsum të vlerave”.

Të hyrat në Doganat e Kosovës mbushin arkën e shtetit, njëjtë sikurse të hyrat në Administratën Tatimore të Kosovës. Edhe kjo e fundit, ka bërë të ditur se nga 01 janari deri më 20 maj 2021, ka grumbulluar rreth 229 mijë euro, kurse në periudhën e njëjtë të këtij viti, vlera ka arritur në mbi 303 mijë euro./tch