Pikat kufitare me Serbinë, Jarinje dhe Bërnjak po vazhdojnë të jenë të bllokuara nga serbët lokalë të cilët që nga dje kanë vendosur barrikada në këto dy pikë kalime kufitare.

Kështu tha për Telegrafin, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Besim Hoti.

“Gjendja nuk ka ndryshuar, barrikadat janë ende prezentë aty, por të shohim sot gjatë ditës se çfarë do të ndodhë pas vendimit që është marrë. Nuk ka pasur incidente gjatë natës”, tha Hoti.

Serbët lokalë vendosën në rrugë kamionë dhe mjete të tjera të rënda për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Pas kësaj, Qeveria u zotua se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për një muaj, nëse serbët largojnë barrikadat e vendosura, ndërkaq në mesnatë janë lëshuar dokumentet e para për hyrje-dalje.

Vendimi i 29 qershorit i ekzekutivit kosovar parasheh lëshimin e dokumentit për hyrje-dalje për të gjithë personat që posedojnë dokumente serbe.

Praktikë të njëjtë Serbia ka aplikuar ndaj qytetarëve të Kosovës për vite me radhë.

Ndërkaq, vendimi i dytë parasheh që të gjithë pronarët e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës – që lëshohen nga Serbia – të mund të regjistrojnë makinat e tyre në targat RKS (Republika e Kosovës).