Derisa xhudistët e vegjël po përfundonin stërvitjen, në palestrën “Ippon” arrinin të mëdhenjtë. Në mesin e tyre ishin edhe Akil Gjakova e Distria Krasniqi, që në fundjavë kishin fituar medalje me peshë në turneun Grand Prix në Hagë.
Atmosfera ishte e relaksuar. Disa uronin Akilin e Distrinë për suksesin, ndonjë pyeste Loriana Kukën se çka nuk shkoi si duhet. Kishte të qeshura e diskutime kryesisht për xhudon.
Nuk zgjati shumë kjo, pak minuta. Koha për të nisur stërvitjen erdhi. Urdhri i Driton Kukës për rreshtim ndali të gjitha. Kuka u vendos në qendër të sallës jo shumë të madhe, ndërsa para tij dhe në krahun e tij të djathtë u rreshtuan xhudistët që rrinin të heshtur.
Përballë tij, pak në të majtë, ishin rresht tri sportistet më të mira në vend, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Distria Krasniqi. Përballë Kukës ishin edhe Akili, Loriana e xhudistë e xhudiste tjera. Rreth 40 gjithsej.
Jo vetëm qendra e sallës së xhudos i takon Driton Kukës. Ai është në qendër të shumë zhvillimeve pozitive në sportin kosovar. Shumë e vlerësojnë edhe si “qendër” të sportit të vendit në përgjithësi. Është autor i rrëfimit bindshëm më të suksesshëm të vendit, jo vetëm sportiv.