Organizata joqeveritare, “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”, nëpërmjet një komunikate për medie ka thënë se Komuna e Podujevës i ka “privuar” qytetarët për të marrë pjesë në hartimin e draft-buxhetit për vitin 2021, raporton Llapi.info.
Sipas komunikatës, përkundër pandemisë, Komuna e Podujevës nuk ka aplikuar asnjë prej platformave online, për të konsultuar qytetarët e saj.
“Sipas procedurave, pas miratimit të KAB-it, autoritetet Komunale gjegjësisht ekzekutivi komunës, fillon hartimin e draft-buxhetit për vitin vijues duke pasur parasysh konsultimet publike me qytetarë. Nga data 1 shtator ekzekutivi dërgon draft-buxhetin tek Kuvendi Komunal i cili vendosë të e kaloj për konsultim me publikun për të paktën 14 ditë. Pas këtij procesi draft-buxheti vjen përsëri në kuvend dhe aprovohet. Kjo praktikë nuk është ndjekur nga Komuna e Podujevës, përveç disa takimeve që ka zhvilluar në muajin qershor për Kornizën Afatmesme Buxhetore-KAB. Ndërsa ekzekutivi nuk ka zhvilluar asnjë takim për hartimin e draft-buxhetit, rrjedhimisht i bije që komuna e Podujevës nuk ka hartuar një draft-buxhet duke u konsultuar me qytetarë. Në anën tjetër as Kuvendi komunal nuk ka marrë vendim për të vë në diskutim publik draft-buxhetin e propozuar nga ekzekutivi”, thuhet në komunikatë.
“Meqenëse jemi në një situatë të pa zakonshme siç është pandemia COVID-19, i tërë procesi i planifikimit buxhetor ka qenë i sfiduar me masat në fuqi kundër pandemisë, të cilat kanë pamundësuar tubimet publike me qytetarë. Mirëpo Komuna e Podujevës është dashur të gjejë forma dhe alternativa tjera të konsultimit qytetare. Një prej tyre do të ishte shfrytëzimi i platformave online, që do të i mundësonte qytetarëve pjesëmarrjen e tyre në hartimin e projekt buxhetit për vitin e ardhshëm. Gjatë tërë këtij procesi Komuna e Podujevës nuk ka aplikuar asnjë prej platformave online, për të konsultuar qytetarët e saj”, përfundon komunikata./Llapi.info






