Ambasadori në largim i SHBA-së në Serbi, Kyle Scott ka komentuar mundësinë e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Prishtina duhet ta anulojë taksën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja, ndërsa Beogradi duhet të bëjë hapa përpara drejt një kompromisi për vazhdimin e dialogut dhe normalizimin e raporteve, ka thënë ambasadori në largim i SHBA-së në Serbi, Kyle Scott në “N1 TV”, transmeton lajmi.net.

Ai ka thënë se shpreson se pas zgjedhjeve në Kosovë më 6 tetor, Qeveria e re do të jetë e gatshme të rikthehet në negociata që janë pezulluar nga nëntori i vitit të kaluar kur Prishtina vendosi taksë prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja si kundërpërgjigje ndaj ofanzivës diplomatike të Beogradit që parandaloi Kosovën nga anëtarësimi në Interpol.

Pala serbe pastaj refuzoi t’i rikthehej bisedimeve derisa taksa vazhdon të jetë në fuqi.

“Është e qartë se ekziston një problem në Serbi rreth asaj se çka mund të nxjerrin nga një kompromis, por jam i sigurt se Qeveria dhe presidenti Vuçiq janë të gatshëm të kërkojmë një kompromis”, tha Scott.

Ai shtoi se politika e Kosovës ishte më pak fleksibile.

“Isha optimist se (procesi i negociatave) po shkonte në drejtimin e duhur por nga vjeshta e shkuar ka marrë kahjen e gabuar. Fushata e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol, vendosja e taksës nga Prishtina, pastaj vendimi nga Qeveria e Serbisë të mos negociojë më tutje, ky është cikli negativ. Është koha për qetësim dhe përqendrim tek interesat afatgjate të Serbisë dhe Kosovës”, tha ambasadori, transmeton lajmi.net.

“Nëse ndodh kjo, në skenarin më optimist, ne mund të presim vazhdimin e dialogut para fillimit të fushatës zgjedhore në Serbi”, shtoi ai.

Scott tha se fakti se autoritetet e as populli në Serbi nuk e ka pranuar kurrë Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur ishte një çështje shumë e rëndësishme e shtetit serb. Ai shtoi se Washingtoni ka ndikim tek Prishtina, por nuk mund ta vendos fatin e Kosovës.

“Përkundër presionit nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian, dinamika e brendshme politike shkon në favor të taksës dhe masat nuk janë të mbështetura. Kosova ende beson se duhet të insistojë në pavarësinë e saj dhe çdo përpjekje nga Beogradi për ta dyshuar bënë që njerëzit në Kosovë të rezistojnë edhe më shumë”, tha Scott.

Ai tha se ishte e qartë se Prishtina nuk i ka përmbushur obligimet nga marrëveshja e Brukselit më 2013 por “zyrtarët e Kosovës thonë se Beogradi po ashtu nuk i ka realizuar kërkesat e tyre. Realiteti është se të dyja palët duhet të përqendrohen tek ajo që duhet të bëjnë dhe të shënojmë përparim”.

Duke komentuar emërimin e Matthew Palmer si të dërguar special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Scott tha se ishte pasojë e synimeve të Washingtonit për të qëndruar në rajon dhe për të luajtur rol edhe më të rëndësishëm. /Lajmi.net/
Shpërndaje