Ministria e Arsimit ka konfirmuar se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për nisjet e vitit të ri shkollor me datën 14 shtator.

Mësimi është planifikuar të fillojë në dy faza, e para fillon me 14 shtator ndërsa faza e dytë pritet të fillojë me 21 shtator.

Edhe nga SBASHK bëjnë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet dhe janë marrë të gjitha masat që me 14 shtator nxënësit t’iu drejtohen sërish bankave shkollore pas një periudhe pauze dhe mësimit online.

Kryetari i SBASHK, Rrahman Jasharaj, në një prononcim për “Gazeta Blic ka theksuar se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura që em 14 shtator të startojë viti i ri shkollor.

“Pas apelit që e kemi bërë, institucionet arsimore u morën me apelin tonë për shtyrje të vitit shkollor. Në marrëveshje me MASH-in, kemi dal vazhdimisht në terren me ministrin Likaj dhe kemi pa nga afër gjendjen. Ajo që kemi parë ne tregon se institucionet arsimore e kanë marrë me seriozitet përgatitjen e vitit të ri shkollor. Sa i takon mësimëdhënësve dhe pjesës dërmuese të institucioneve arsimore mund të fillojë viti i ri shkollor me 14 shtator sipas “Maser Planit”që e ka bërë MASH dhe besoj MASHI do të del publikisht të sqarojë kush kur do t’ia fillojë, mirëpo kjo varet pastaj edhe nga vlersimet që do të bëjë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.Mësimëdhënësit janë të gatshëm për të nisur mësimin dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Arsimit dhe do të bëjmë çdo që të fillojë një vit sa më i mbarë shkollor”

Tutje Jasharaj bën thirrje prindërve që të angazhohen sa më shumë në këtë proces për të këshilluar fëmijët të mbajnë rregullat e distancimit social.

“Në Kosovë dhe kudo në botë rreziku ekziston, edhe prindërit edhe mësimdhënësit duhet të jenë shumë më të angazhuar. Janë duke u siguruar edhe mjetet e dezinfektimit dhe në këtë betejë të madhe na duhet ndihma e prindërve me këshillat e tyre për fëmijët se si ata të sillen, të mësohen me distancën dhe higjienën. Bankat tashmë janë në distancë 1 metër nga nxënësi në nxënës, janë bërë të gjitha përgatitjet dhe sipas MASH pastaj do të përfshihen edhe paralelet e tjera dhe të shkohet me mësimin e kombinuar por për të gjitha këto do të njoftoheni nga MASH” tha Jashari.

Që nga muaji mars kur në vendin tonë janë shfaqur rastet e para me Koronavirus, shkollat janë mbyllur dhe mësimi ka funksionuar online.