Delegacioni i SBASHK-ut, i kryesuar nga kryetari Rrahman Jasharaj ka zhvilluar një takim me Ministrin e MASHT, Shyqiri Bytyqi.

Gjatë këtij takimi Jasharaj ka prezantuar shqetësimet dhe kundërshtimet të punëtorëve të arsimit nga shkaku i rangimit në tabelorin e këtij Projektligjit për pagat duke argumentuar se punëtorët e arsimit nuk janë radhitur në vendin meritor në këtë tabelor, shkruan lajmi.net

Delegacioni i SBASHK-ut ka kërkuar nga Ministri Bytyqi që MASHT dhe SBASHK-u të angazhohen bashkërisht për përmirësimin e këtyre lëshimeve në këtë Projektligj.

Ministri Bytyqi ka shprehur gatishmërinë e tij dhe stafit të MASHT për angazhim të përbashkët duke theksuar se MASHT me tërë mundësitë do të angazhohet që punëtorët e arsimit të kenë vendin e merituar në tabelorin Projektligjit për pagat.

SBASHK-u vlerëson se Projektligji për pagat bashkë me tabelorin, si i tillë, demanton deklarimet e institucioneve të Kosovës se arsimin e kanë prioritet të parë ngase nga 73 grupet e pozitave në tabelor, punëtorët e arsimit janë ranguar në pozicionet 60, 61 dhe 63 duke i barazuar kështu me profesionet për të cilat kërkohet vetëm arsimi elementar, gjegjësisht arsimimi i mesëm.