Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dalë sot në pritje të mërgimtarëve në Aeroportin e Prishtinës ’Adem Jashari”, ku ua prezantoi ofertën e re të Valës atyre.
Kurti ua shpjegoi disa prej udhëtarëve ofertën dhe ishte ai që u dorëzoi edhe disa kartela.
Ai ka postuar një video në Facebook me disa momente nga vizita e tij në aeroport.
““Pako e Diasporës” e cila është 1 mujore, por me afat 1 vjeçar, ofron minuta pa limit me Valën, 500 minuta nacionale, pa limit SMS me të gjithë, 30GB internet për vetëm 10 euro. Këtë kartelë bashkatdhetarët tanë mund ta blejnë në Aeroportin e Prishtinës, e të cilëve sot iu urova mirëseardhje.”, shkroi ai.
“Gjithashtu, Qeveria jonë ka marrë vendim që i inkurajon bashkatdhetarët tanë të angazhohen për 6 muaj në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në kuadër të programit të “Diplomacisë Qytetare”. Nga lehtësimet shtesë me e-Kosovën për nxjerrjen online të certifikatave të gjendjes civile, të ekstraktit të lindjes, të certifikatës së martesës etj. përfitojnë të gjithë. Ndërkaq, për ata që vijnë me automjete në Kosovë, polica kufitare pasi të paguhet online riimbursohet plotësisht. Pushime të këndshme!”, shtoi Kurti.