Lokale - eSIMy

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj, Sami Lushtaku ka vazhduar edhe sot tubimet parazgjedhore në lagjen Hoxha të fshatit Kllodernicë, duke mbledhur disa dhjetra qytetarë.

Në fotografitë e publikuara nga Lushtaku shihet se personat e mbledhur nuk kanë respektuar masat kundër COVID-19 të vendosura nga Qeveria Kurti, duke mos vendosur maskën dhe siguruar distancë prej 1.5 metra.

“Sot në lagjen Hoxha të Kllodernicës u mirëpritëm nga shumë qytetarë vendas. Para tyre shpalosëm platformën e PDK-së për zhvillimin e kësaj pjese dhe të Skenderajt në përgjithësi.  I falënderoj përzemërsisht për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj PDK-së!”, ka shkruar Lushtaku në facebook.

Sipas vendimit të qeverisë, në ambiente të jashtme lejohen grumbullimet deri në 50 persona, por duhet të sigurohet distanca prej 1.5 metra në mes të personave.

Në vendim lejohen grumbullimet dhe ngjarjet kulturore në ambiente të jashtme deri në 50 persona (publiku). Organizatori obligohet të sigurojë mbajtjen e distancës fizike prej 1.5 metër në mes të personave./Kallxo.com