Një qytetar në Kaçanik ka inskenuar një rast vjedhjeje në ambientet e një xhamie, por pas hetimeve të Policisë është zbuluar se ngjarja nuk ka ndodhur fare.
Policia e Kosovës njofton se më 20 maj është raportuar një rast vjedhjeje në stacionin policor në Kaçanik, ku një person me inicialet N.S., kishte deklaruar se më 18 maj, në ambientet e xhamisë së qytetit, nga portofoli i tij ishin vjedhur 400 euro.
Menjëherë pas raportimit, njësia e hetimeve në koordinim me prokurorin e rastit ka nisur veprimet hetimore, përfshirë shikimin e kamerave të sigurisë.
Hetimet zbuluan se në vendin ku pretendohej të kishte ndodhur vjedhja, nuk kishte hyrë asnjë person tjetër.
Pas ftesës për intervistim shtesë nga hetuesit, N.S. ka pranuar se e kishte inskenuar rastin dhe se në fakt nuk kishte ndodhur ndonjë vjedhje.
Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë penale për veprën “Lajmërim apo kallëzim i rremë”.