Lokale - eSIMy

Lëvizja Vetëvendosjes të enjten  ka iniciuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti.

Shefi i grupit parlamentar  të kësaj partie Rexhep Selimi, në një konferencë për media duke përmendur arsyet e kësaj nisme, ka thënë se për këtë kanë njoftuar edhe grupin parlamentar të PDK-së.

Por, sa vota i duhet Vetëvendosjes për të siguruar që fillimisht mocioni të procedohet për rend dite në Kuvendin e Kosovës.

Sipas nenit 100, pika 1, të Kushtetutës së Kosovës, duhen firmat e 1\3 të të gjithë deputetëve që mocioni të shkojë për procedurë të mëtutjeshme në Kuvend, apo 40 nënshkrime, raporton ekonomia online.

Vetëvendosjes, që është grupi më i madh parlamentar në Kuvend me 31 deputetë, i duhen të paktën edhe 9 nënshkrime të deputetëve tjerë që mocioni të procedohet.

Ndërsa, që për kalimin e mocionit në seancë plenare, pra rrëzimin e Qeverisë, duhen  së paku 61 vota të deputetëve.

Kujtojmë se tradicionalisht minoritetet jo serbe që janë pjesë e koalicioneve qeverisëse kanë përkrahur nisma të tilla, dhe Vetëvendosjes  përveç votave të tyre, i duhet  për kalimin e mocionit të kenë mbështetjen edhe të PDK-së.

Kujtojmë se PDK, kishte përkrahur mocionin e LDK-së për rrëzimin e Qeverisë Kurti, por që nuk kishte pranuar të jetë pjesë e  Qeverisë Hoti.

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti, vije në kohën kur partnerët e koalicionit qeverisës LDK-AAK-NISMA, kanë shfaqur përqarjet që janë brenda tyre.

Të mërkurën zyrtarë të këtyre partive kanë dal haptas me kërcënime për prishje të koalicionit./eo