Rusia kërkoi nga Perëndimi që të ndalë “propagandën” e tij pasi 30 ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në Zveçan.

“Ne i bëjmë thirrje Perëndimit që përfundimisht të ndalë propagandën e tij të rreme dhe të ndalë së fajësuari për incidentet në Kosovë serbët e dëshpëruar, të cilët po tentojnë të mbrojnë të drejtat e tyre legjitime dhe lirinë, përmes mjeteve paqësore dhe pa armë”, tha Ministria e Jashtme e Rusisë.

Rusia, që është aleate e Serbisë, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

KFOR tha të martën se tre ushtarë janë plagosur me armë zjarri dhe se dhuna e shkaktuar të hënën në Zveçan nga “turma agresive” ka qenë “e paprovokuar”.

Që nga 26 maji, tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur, pas hyrjes në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut të kryetarëve të rinj shqiptarë të këtyre komunave. / REL