Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka kërkuar nga Kina që të ndërhyjë për të ndalur çdo përpjekje të Iranit për të mbyllur Ngushticën e Hormuzit, një arterie kyçe për tregtinë globale të naftës.
Thirrja e Rubio-s vjen pas raportimeve nga televizioni shtetëror iranian “Press TV” se Kuvendi iranian ka miratuar një plan për mbylljen e ngushticës, në pritje të vendimit përfundimtar nga Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare.
“E inkurajoj Pekinin që t’ia bëjë të qartë Teheranit pasojat, sepse Kina varet shumë nga nafta që kalon përmes Hormuzit,” tha Rubio për “Fox News”, duke shtuar se çdo bllokim do të ishte “vetëvrasje ekonomike” për Iranin dhe rrezik për ekonomitë globale.
Rreth 20% e naftës botërore kalon përmes kësaj ngushtice strategjike. Çmimet e naftës në bursat ndërkombëtare janë rritur ndjeshëm pas sulmeve amerikane ndaj qendrave bërthamore iraniane, duke arritur 78,89 dollarë për fuçi në bursën “Brent”.
Ekspertët paralajmërojnë se çdo pengesë në këtë rrugë detare mund të shkaktojë një krizë të re energjetike, sidomos për vendet aziatike si Kina, India dhe Japonia që varen nga ky korridor për furnizim me naftë.
Ndërkohë, Kina ka kritikuar ashpër sulmet e SHBA-së, duke i cilësuar si të dëmshme për kredibilitetin amerikan dhe ka kërkuar armëpushim të menjëhershëm.