Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se kjo parti nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj në raport me Trustin.

Gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku, e ka pyetur deputetin nëse do të rrinë në sallë në seancën kur do të diskutohet për këtë ligj, por ky i fundit tha se s’mund të flasë për detaje, megjithatë shtoi se Vetëvendosje i ka dhënë përgjigje kësaj çështjeje.

“Kësaj çështjeje i kemi dhënë përgjigje, unë flas për qëndrimin e grupit parlamentar. Nuk mund të flas për detaje, por qëndrimi dhe përgjigja për Trustin është e njëjtë. Deri tashti dihet qëndrimi i partisë në pushtet vetëm për kundërshtimin që ka për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, por jo edhe nëse do të qëndrojnë në sallë dhe nëse do të votojnë kundër”, tha ai.

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë nuk ka pasur kuorum për caktimin e seancës së re, megjithatë anëtarët janë pajtuar që seanca me pikat e papërfunduara të mbahet të hënën e ardhshme, pra më 6 qershor, ndërkohë Abelard Tahiri i PDK-së, tha se seanca e re me shumë gjasë do të mbahet të enjten kur edhe do të diskutohet për Trustin, njofton Klankosova.tv.