Me shpresë se Partizani i Tiranës do të jetë një trampolinë e mirë për në Evropë, Amir Rrahmani kishte firmosur me këtë skuadër më 5 korrik të vitit 2013.
Partizani nuk ishte trampolinë aq e fuqishme sa për ta hedhur mbrojtësin direkt në ndonjë ligë elitare evropiane, por ishte një prej stacioneve në rrugëtimin që Rrahmanin megjithatë e dërgoi në njërën prej ligave më të forta të futbollit, shkruan sot Koha Ditore.
Lideri i mbrojtjes së Kosovës, Amir Rrahmani, të mërkurën firmosi me skuadrën Hellas Verona, që edicionin 2019\2020 do të garojë në Serie A të Italisë. Kështu Rrahmani bëhet një lojtar tjetër pas Milot Rashicës që ka nisur karrierën në futbollin kosovar dhe që ia del të depërtojë në njërën prej pesë ligave më të forta evropiane.
Rrahmani, tani 25-vjeçar, kishte nisur karrierën te Ramiz Sadiku i Prishtinës, prej nga kishte kaluar te Drenica e Skenderajt. Te Drenica nisi të luajë në nivelin senior dhe shpejt bëri emër në Superligën e Kosovës.
Por Rrahmani nuk e kishte planin të qëndronte gjatë në futbollin e Kosovës. Superligën e Shqipërisë e shihte si rrugën e duhur për gjëra më të mëdha në karrierë. Për kohë të gjatë futbollistët e klubeve kosovare hapin para në karrierë kanë synuar ta bëjnë me kalim në klube të Shqipërisë.
Kjo praktikë vlen ende për numër të madh të lojtarëve. Për disa ka ndezur e në mesin e tyre është edhe Rrahmani. Por është Drenica që fillimisht ia dha rastin e madh.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)