Thuajse të gjitha rrugët në Podujevë vazhdojnë të jenë të papastruara nga pluhuri dhe mbeturinat, raporton Llapi.info

E kjo gjë po iu shkakton problem banorëve e sidomos bizneseve që janë buzë rrugës “Zahir Pajaziti”.

Ata kanë apeluar tek organet përkatëse që sa më shpejt të bëhet zgjidhje dhe të fillohet me pastrimin e rrugëve.

“Kemi problem, pasi nga pluhuri po na mbushet malli. Po kemi dëme, kërkojmë sa ma shpejtë që të fillojnë me pastrimin e këtyre rrugëve. Kur ka frymë nuk kemi pse me qëndru këtu prej pluhrit e prej mbeturinave” tha Shaban Hoti, shitës i pemëve dhe perimeve.

E, nga pluhuri siç duket problem të madh po kanë edhe personat të moshuar. Hanife Berisha tha për Llapi.info se pluhuri po ka ndikim në gjendjen shëndetësore të saj.

“Po kemi telashe shumë, pasi që ne të moshuarit po kemi probleme me fyt e prej frymës. Duhet me pastru sa ma shpejt se nuk shkon kështu. Po duhet me dal kapak me ecë deri të shkoj deri aty bllokona krejt” tha mes tjerash Berisha.

Lidhur me këtë Llapi.info ka kontaktuar me Shefin e Shërbimeve Publike në komunën e Podujevës, Rasim Fejza. Ai shtoi se në komunën e Podujevës është hapur tenderi dhe shumë shpejt do të fillohet me pastrimin dhe larjen e rrugëve.

“Është hapur oferta, në procedurë e sipër është. Së shpejti do të zgjidhet dhe do të fillohet me pastrimin dhe larjen e trotuareve dhe rrugëve të Podujevës” tha Fejza.

Kujtojmë, se vitin e kaluar pastrimin e rrugëve e ka bërë kompania “Pastrimi”./Llapi.info