Nga shumë ndërtime pa leje edhe në pronën publike Komuna e Skenderajt ka gjetur t’ia rrënojë shtëpinë vetëm një “fatkeqi”, Selim Behramit, i cili që nga 4 shtatori i vitit 2009 është shndërruar në rast social, ndërsa bashkëshortja e tij nga traumat që kishte pësuar ka mbetur e paralizuar. Ai kërkon drejtësi tani e 13 vjet, qëkur Komuna e Skenderajt padrejtësisht e kishte shpallur uzurpator në pronën e tij, ndërsa vendimi i fundit i Apelit është negativ për të
Pavarësisht një numri të madh të ndërtimeve pa leje, madje shumë sosh edhe në pronën publike, Komuna e Skenderajt, e cila në atë kohë udhëhiqej nga Sami Lushtaku, kishte rrënuar vetëm një shtëpi në qytetin e Skenderajt, që gjendet prapa restorantit “Atlantiku”, pronë e Mihane Bekteshit. Shumë dokumente për pronësinë, të cilat Komunës ia kishte ofruar Selim Behrami, një 60-vjeçar nga Skenderaj, nuk kishin bërë punë. Më 4 shtator 2009 ekskavatorët e kontraktuar nga Komuna e Skenderajt e kishin bërë rrafsh me tokë shtëpinë e ndërtuar në pronën e tij, të fituar me punë nga ndërmarrja në të cilën ai kishte punuar.
Uzurpator në pronën e tij
Në vitin 2006 Drejtoria për Kadastër dhe Pronë e Komunës së Skenderajt e kishte shpallur uzurpator Selim Behramin me arsyetimin se ka ndërtuar shtëpi në pronën e Komunës. Sipas vendimit të Drejtorisë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë, Behrami ka ndërtuar shtëpi në një hapësirë prej rreth 5 arësh, duke e cilësuar pronën të Komunës, pasi që ish-ndërmarrja komunale shërbyese “18 Qershori”, në të cilën Behrami kishte punuar nga viti 1980, tani ka kaluar në kompetenca të Komunës dhe se e gjithë prona e saj është pronë e Komunës.
Duke mos u pajtuar me trajtimin, Behrami kishte dërguar në Komunë një vendim të Këshillit të Punëtorëve të ndërmarrjes komunale shërbyese “18 Qershori”, me të cilin dëshmonte se ndërmarrja ia ka ndarë 5 ari truall për ndërtimin e shtëpisë, pasi që Behrami nuk e kishte të rregulluar çështjen e banimit. “Në vitin 1982 ndërmarrja ku kam punuar më ka lejuar të banoj në objektin e pompave të ujit, në të njëjtin vend, ndërsa vetëm pak kohë më vonë m’i ka dhënë 5 ari truall në të njëjtin vend për të ndërtuar shtëpi. Kushti i vetëm ka qenë që unë t’i mirëmbaj pompat e ujit derisa ato të jenë funksionale, edhe në rastin e largimit nga ndërmarrja. Dhe unë kam vepruar sipas marrëveshjes, shkruan Zeri.
Vendimin e Këshillit të Punëtorëve e kam dërguar në Komunë, por ata nuk kanë dashur as të dëgjojnë dhe nuk kanë marrë parasysh asnjë dokument. Unë kam ndërtuar shtëpi në pronën time, sepse atë e kam fituar me punë. Ka dëshmuar edhe ish-sekretari ndërmarrjes, por qëllimi ishte që shtëpia të më rrënohej. I kam lutur në të gjitha mënyrat edhe për ndonjë marrëveshje, por për 5 ari truall dhe për shtëpinë komunarët ma ofronin vetëm një banesë sociale prej 64 metrash katrorë, të cilën unë nuk e kam pranuar sepse unë nuk jam rast social. Dhe në shenjë hakmarrjeje ata erdhën dhe ma rrënuan shtëpinë që pata ndërtuar, rrënuan edhe objektin ku ndodheshin të vendosura pompat e ujit, nuk lanë asgjë në këmbë, përveç rrethojave të oborrit”, tregon Behrami, duke shtuar se Gjykata në Skenderaj nuk e kishte përfillur dhe nuk e kishte zbatuar masën e përkohshme sipas kërkesës së avokatit të tij.
Edhe po të m’i japin të gjitha nuk më vyejnë më asgjë, ma shkatërruan familjen
“Krejt çka ka me ma dhënë nuk më vyen gjë, ma kanë shkatërruar familjen. Ditën që hynë ekskavatorët gruaja pësoi sulm në tru, e harrova krejt shtëpinë, e dërgova te mjeku derisa ekskavatorët rrënonin shtëpinë time.
Nga aty gruan u detyrave ta dërgoj në Prishtinë në kërkim të shërimit të saj, dy herë është operuar në Tiranë, ndërsa më rekomanduan ta dërgoj në Francë. Prej atëherë ajo ka mbetur e paralizuar, nuk mund të flasë fare dhe kështu do të jetë sa ajo të ketë ymër. I kam harxhuar mbi 40 mijë euro nëpër mjekë, por ajo vazhdon të jetë e paralizuar”, shpjegon Behrami për peripecitë në kërkim të shërimit të gruas së tij. Ai shpjegon se lënda e tij është zvarritur me vite. Sipas Behramit, Gjykata e Skenderajt kishte vendosur në dëm të tij dhe në favor të Komunës kur Behrami ishte ankuar atëherë në Gjykatën Komunale në Skenderaj. “Gjykata Komunale (tani dega e Gjykatës Themelore të Mitrovicës) në Skenderaj nuk ka marrë parasysh asnjë dokument që unë e kam dorëzuar. 25 vjet kam jetuar në shtëpinë që kam ndërtuar në truallin që ma ka ndarë ndërmarrja ku kam punuar. Vendimi është marrë në vitin 1982, por dokumentin e kam nga viti 1986.
Nuk kanë marrë parasysh asnjë dokument, sepse kam dyshime se gjykatësi i lëndës ka qenë i ndikuar nga Komuna. Unë e kam pyetur gjykatësin a ta kërkoj një tjetër gjykatës, nëse ai nuk mundet të vendosë ose nëse dikush ia dikton vendim çka duhet të bëjë, hiç prej vetes, por gjykatësi (A. M.), thoshte ‘jo, unë vendosi vetë, nuk mundet të ndërhyjë askush’. Në fund doli që ma kthyen negativisht përgjigjen dhe në këtë mënyrë çështjen e dërgova në shkallën e dytë, në Gjykatën e Qarkut. Unë edhe tani paguaj tatim në pronë për shtëpinë që ma kanë rrënuar”, shpjegon Behrami.
Gjykata e Qarkut: Shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore
Gjykata e Qarkut, si shkallë e dytë (tani Gjykata e Apelit), me pretendimin se janë bërë shkelje të dispozitave të Nenit 182.2 të LPK-së e kishte kthyer lëndën në rigjykim në shkallën e parë. Në arsyetimin e vendimit të ish-Gjykatës së Qarkut për kthimin e lëndës në rigjykim thuhet se në bazë të Nenit 182.1 të LPK-së “ekzistojnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës konstestimore në rastin kur Gjykata nuk e ka zbatuar ose e ka zbatuar në mënyrë jo të drejtë ndonjë dispozitë të LPK-së e që ajo ka mundur të ketë ndikim në nxjerrjen e aktvendimit të drejtë dhe të ligjshëm”.
“Gjykata e Qarkut ka gjetur se me Aktgjykimin e atakuar është zhvilluar procedura në kundërshtim me dispozitat ligjore si në Nenin 3.3 a të LPK-së, gjë që përfshihet në shkelje sipas Nenit 182.2, nënpika g, që parasheh se nëse është vendosur në çështjen për të cilën është dashur të pezullohet procedura dhe Gjykata kompetente për rastin e pazgjidhur menjëherë ta njoftojë Ministrinë e Drejtësisë mbi rastin dhe duhet t’ia sigurojë Ministrisë së Drejtësisë një kopje të plotë të lëndës. Në rastin konkret kjo nuk është zbatuar dhe paraqet shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore”, thuhet mes të tjerash në arsyetimin e aktvendimit të ish-Gjykatës së Qarkut (tani Gjykata e Apelit). Në arsyetimin e aktvendimit të ish-Gjykatës së Qarkut thuhet gjithashtu se “duke mos u deklaruar fare për arsyet e refuzimit të kërkesës për kompensim për pronësinë mbi objektin e ndërtuar dhe lidhur me faktet, arsyeshmërinë dhe përputhshmërinë në mes të shkresave të lëndës, procesverbaleve të shqyrtimit, një pjesë të kërkesëpadisë së palës paditëse, pjesës urdhëruese – dispozitivit dhe arsyetuese të aktgjykimit, Gjykata ka përfshirë aktgjykimin e vet në shkelje të dispozitave të Nenit 182, pika 2, nënpika n e LPK-së”.
Gjithashtu Gjykata e Qarkut kishte gjetur se Ligji mbi Marrëdhëniet Juridike – Pronësore i RSFJ-së, i datës 30 mars 1978, i zbatueshëm në rastin konkret, parasheh në Nenin 21 se sipas vetë ligjit e drejta e pronësisë fitohet me krijimin e sendi të ri, me bashkim, me përzierje, me ndërtim në tokën e huaj. Pala paditëse ka kërkuar vazhdimisht pronësinë dhe për objektin e ndërtuar, por Gjykata nuk e ka shqyrtuar e as që e ka arsyetuar refuzimin. Përfundimisht është i qëndrueshëm pretendimi se ka shkelje të Nenit 182 të LPK-së”.
Apeli “shkel” vetveten, refuzon ankesën
Në rigjykim Gjykata e Skenderaj në rastin e Selim Behramit vendos ta shpallë veten jokompetente për të vendosur, duke e rekomanduar si gjykatë Dhomën e Veçantë të Supremes. Por, lënda sërish kthehet në Skenderaj. Në këtë situatë Behrami vendos që ta dërgojë lëndën në Gjykatën e Apelit. “Qe tre vjet e gjysmë e kam lëndën në Gjykatën e Apelit. Edhe atje është zvarritur. Jam detyruar t’i bëj 7 urgjenca, por lënda nuk shqyrtohej. Kam shkuar nëpër korridore të Gjykatës për ta takuar dikë që do të mundë të më njoftonte se ku qëndron puna, se kur do të shqyrtohet lënda ime, por nuk kam mundur ta marr asnjë informatë. Sigurisht dikur u mërzitën edhe ata prej meje dhe më në fund ma kthyen përgjigjën”, tregon Behrami.
Por, përgjigja që Behrami ka marrë nga Apeli e “ka plandosur”, siç thotë ajo, për tokë.
“Edhe Apeli këtu ditë ma ktheu negativ. Apeli është ajo shkalla e dytë që kishte vlerësuar se janë bërë shkelje esenciale të të gjitha dispozitave të LPK-së me rastin e vendosjes së lëndës sime në shkallën e parë, në Gjykatën e Skenderajt. Në Gjykatën e Apelit tani punojnë të njëjtit gjykatës, të cilët kishin konstatuar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore dhe lëndën e kishin kthyer në rigjykim. Nëse për gjykatësit e shkallës së dytë (ish-Gjykata e Qarkut) ka pasur shkelje, të cilat do duhej të evitoheshin në rigjykim, atëherë edhe për gjykatësin ose gjykatësit që kanë vendosur për lëndën time në Apel do të duhej të ishin shkeljet e njëjta e në asnjë mënyrë të më refuzohet lënda”, vlerëson Behrami, i cili vazhdon të tregojë se bën jetë vështirë me gruan e paralizuar, që ka ardhur si pasojë e një vendimi të padrejtë të Komunës, por edhe të një vendimi të padrejtë dhe krejtësisht të njëanshëm të gjykatave (përveç ish-Gjykatës së Qarkut).
“Jam në gjendje shumë të rëndë, bile edhe shpirtërore. Më vështirësi po e përballoj padrejtësinë ndaj meje. Kam pasur shumë shpresë tek Apeli. Por unë nuk do të ndalem, do të vazhdoj të kërkoj drejtësi, ndonëse rruga deri të drejtësia tani po e shoh se nuk ka fund. Do ta apeloj vendimin e Gjykatës së Apelit edhe në Gjykatën Supreme edhe në Gjykatën Kushtetuese, bile edhe në Gjykatën e Strasburgut. Tjetër rrugëdalje nuk kam. Kjo është drejtësia në Kosovë, e vendosin të fuqishmit e ne duhet të durojmë derisa një ditë të na pëlcasë edhe neve. Thonë se drejtësia vonohet, por vjen, unë seriozisht dyshoj në këtë”, përfundon Selim Behrami, njeriu i vetëm në Skenderajt të cilit pushteti ia rrënoi shtëpinë.





