Fillimi i punimeve për zgjerimin e rrugës së qendrës në Podujevë “Zahir Pajaziti”, ka filluar përnjëherë në të dyja anët. Si rezultat i kësaj shpeshherë krijohen bllokada duke u rrezikuar edhe këmbësorët, pasi që detyrohen të kalojnë në rrugë të destinuar për automjete, shkruan Llapi.info
Edhe qytetarët shprehen se kanë vështirësi kalimi në këtë pjesë si pasojë e gurëve dhe punimeve që po zhvillohen.


Se që po rrezikohen këmbësorët e ka thënë në seancën e rregullt në Kuvendin Komunal, Rafet Llapashtica nga PDK. Sipas tij, punimet nuk është dashur të fillohen përnjëherë në të dyja anët.
“Vetëm dy kompani janë përfituese në Podujevë, s’ka ndryshim prej janari në Podujevë. Veçse rruga “Zahir Pajaziti” kah shkolla ekonomike është bllokuar, vijës së asfaltit nxënësit detyrohen me ecë. Duhet me ecë ka vija e asfaltit se s’po kanë ka me ecë as të tjerët”, ka thënë ai kur po diskutohej raporti financiar janar-shtator 2018.
Në anën tjetër, drejtori i Planifikimit Urban dhe Mbrojtës së Mjedisit në Podujevë, Hamdi Jaha në foltore ka theksuar në në Komunën e Podujevës veprojnë 22 kompani.
“Në Podujevë nuk janë vetëm dy firma, janë mbi 22 firma që punojnë dhe veprojnë në Podujevë, këto firma kanë qenë më tenderë të hapura të cilat i kanë kryer obligimet e veta. Me plan rruga “Zahir Pajaziti” është me u bë jashtëzakonisht e mirë, tash e tutje do të punohet me të gjithë infrastrukturën në secilën rrugë duke i hequr shtyllat elektrike”, ka thënë Jaha.
Sipas tij, punimet në këtë rrugë janë duke vazhduar sipas planit dhe me intensitet të madh.
“Jemi duke punuar me intensitet të madh. Përveç pjesës së kanalizimit fekal kemi edhe kanalizimin atmosferik i cili është në fazën përfundimtare. Për dy javë e kam ndërprerë pjesën e djathtë me të vetmin qëllim mos me pas aksidente ose vdekje të punëtorëve që janë duke punuar aty”, ka thënë më tej ai.
Ndryshe, për shqyrtimin e raportit financiar janar-shtator 2018, kritika të shumta kanë dhënë këshilltarët opozitarë, pasi që sipas tyre investimet kapitale deri më tani kanë qenë në nivel të ulët./Llapi.info






