Pas raportimeve të djeshme për një rritje të çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, reagimi në tregun lokal ka qenë i menjëhershëm. Sot në mëngjes, qytetarët e Podujevës janë përballur me një rritje të çmimit të naftës në pikat e karburantit të qytetit.
Sipas burimeve tona, disa pika që deri dje e shisnin naftën me 1.09 euro për litër, sot e kanë ngritur çmimin në 1.11 euro/l. Kjo rritje ka ndodhur brenda një periudhe më pak se 24 orë, duke nxitur shqetësim te konsumatorët, veçanërisht ata që varen çdo ditë nga mjetet motorike për punë dhe lëvizje.
Ndërsa ndryshimet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare janë shpesh indikator për rritje në tregjet vendore, reagimi i menjëhershëm i pompave të derivateve ngre pikëpyetje për mekanizmin e formimit të çmimeve në tregun tonë. Nafta që shitet sot është furnizuar më herët me çmim më të ulët, prandaj aplikimi i rritjes së re kaq shpejt, pa konsumuar stoqet e mëparshme, mund të konsiderohet praktikë jo e drejtë ndaj konsumatorëve.
🗣️ Në këtë drejtim, kërkohet më shumë transparencë dhe rregullim nga autoritetet për të mbrojtur qytetarët nga spekulimet dhe lëvizjet arbitrare të çmimeve.






