Ka shënuar rritje numri i rasteve aktive me virusin korona edhe në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.
Gjatë tre ditëve të fundit, në këtë Komunë janë konfirmuar pozitivë nëntë persona, duke çuar në total numrin e rasteve aktive në 11.
Që nga fillimi i pandemisë, mbi 7 mijë qytetarë llapjanë kanë qenë të infektuar me COVID-19. Prej tyre, 74 raste kanë përfunduar me fatalitet.
Krahas kësaj situate, është duke vazhduar vaksinimi anti-covid në QKMF-në e kësaj komune. Deri më tani janë administruar rreth 80 mijë vaksina, ndërkohë që ka nisur edhe dhënia e dozës së tretë.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka njoftuar se 107 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 në 24 orët e fundit. Në nivel vendi mbesin gjithsej 740 raste aktive me COVID-19.
Ndërkohë në 24 orët e fundit sipas MSH-së janë dhënë 2.639 doza të vaksinës kundër COVID-19. Deri më sot sipas MSH-së 785.291 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë./Llapi.info






