Lokale - eSIMy

Është rritur numri i rasteve aktive me virusin korona në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.

Sipas statistikave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, aktualisht në Podujevë janë 9 raste aktive. Gjatë kësaj jave janë konfirmuar tri raste pozitive me COVID-19.

Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, Bedrie Rama, ka thënë ditë më parë për Llapi.info se krahas rasteve të reja, procesi i vaksinimit kundër virusit korona është duke u zhvilluar normalisht.

Rama, duke bërë thirrje tek qytetarët që të vaksinohen, ka deklaruar se deri më tani në këtë Komunë janë administruar mbi 75 mijë vaksina, duke bërë kështu që Podujeva të jetë ndër Komunat me më së shumti qytetarët të vaksinuar.

“Deri më tani në Podujevë janë administruar mbi 75 mijë vaksina anti-cocvid”, është shprehur epidemiologia e vetme në Podujevë, Bedrie Rama.

Që nga fillimi i pandemisë, mbi 7 mijë qytetarë llapjanë kanë qenë të infektuar me COVID-19. Prej tyre, 74 raste kanë përfunduar me fatalitet.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se nga dita e hënë, 6 dhjetor, do të hyjnë në fuqi masat e reja kundër koronavirusit, të cilat u miratuan më 30 nëntor.

Sipas masave të reja, qytetarët që do të hyjnë në Kosovë duhet të kenë dëshminë e vaksinimit të plotë, të testeve negative apo dëshmisë se e kanë kaluar koronavirusin.

Po ashtu kërkohet nga të gjithë personat që do të hyjnë në Kosovë pas datës 3 janar, 2022, të kenë dëshmi të vaksinimit të plotë, ose një dozë të vaksinës bashkë me test negativ PCR, ose një dozë e vaksinës me dëshminë e kalimit të sëmundjes.

Shtetasve të Kosovës dhe atyre me qëndrim të përkohshëm, me masat e reja, u jepet “mundësia të vaksinohen nga ekipet mobile të vendosura në pikat kufitare” tokësore, por edhe në aeroportin “Adem Jashari”. Masat e reja të plota i gjeni KËTU./Llapi.info