Numri i udhëtimeve ndërkombëtare të autobusëve është shtuar këtë vit. Për këtë kërkohet që inspektimet ndaj kompanive të autobusëve të bëhen ditore.

Inxhinieri i komunikacionit, Bekim Ahmeti, tha se është e rëndësishme që të kontrollohen oraret e itinerareve të kompanive të autobusëve për të parë nëse kanë shoferë të mjaftueshëm për udhëtime të gjata.

“Siç dihet pas aksidentit në Kroaci rasti është përhap sa që ka dal në pah që kompanitë zakonisht i shfrytëzojnë punëtorët zakonisht shoferët, dhe për këtë është dashtë me marr masa më të rrepta në aspektin e kontrollimit të kompanive të autobusëve apo operatorëve transportues në kohën e pushimeve, kohëve të ngasjes e kështu me radhë”. “Ish dashtë të kishte kontrolle, dhe jo të vetëdijesohemi pasi ndodhin rastet. Nuk e di çfarë masa ka marrë ministria e Punëve të Brendshme dhe ministria e Transportit, çfarë masa ka marrë besoj që ka marr masa të duhura. Ish dashtë që të gjitha kompanive të merren oraret itineraret e të shikohet se në çfarë gjendje janë shoferët për momentin dhe në çfarë gjendje janë në të kaluarën”.

Në një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online nga Inspektorati i ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës thonë se bëjnë inspektime në bazë të planeve mujore dhe në rastet kur kanë ankesa nga palët e treta.

“Sa i përket transportit rrugor të udhëtarëve ( transportit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar) inspektohet vazhdimisht, gjithmonë brenda kapaciteteve tona inspektuese. Gjatë inspektimeve, me procesverbal konstatohet gjendja reale me të cilën një kompani transportuese operon dhe varësisht prej shkeljeve merren edhe veprimet ndëshkuese sipas dispozitave ligjore që e rregullojnë fushën e transportit rrugor”.“Zakonisht shqiptojmë: Masa administrative ( Vendime për eliminim të parregullsive) dhe Masa kundërvajtëse ( gjoba mandatore)”./eo/