Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se në Podujevë janë regjistruar sot edhe 61 raste të reja me virusin korona, raporton Llapi.info.
Gjatë 24-orëve të fundit janë konfirmuar 89 pacientë të shëruar, derisa numri i rasteve aktive në Podujevë ka rënë shkuar në 669, nga rreth 1 mijë sa kishte qenë dy ditë më parë.
Që nga shpërthimi i pandemisë në Kosovë, deri më tani në Podujevë, rreth 9 mijë qytetarë llapjanë kanë rezultuar pozitivë për COVID-19. Prej tyre, 74 kanë humbur jetën, ndërkohë që mbi 80 mijë vaksina janë të administruara.
Në Kosovë sot janë regjistruar 1.140 raste të reja me koronavirus sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë më 9 shkurt.
Rastet e reja dolën pas testimit të 6,767 mostrave. Nga kjo shifër i bie se rreth 17 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë për sëmundjen COVID-19.
Në njoftimin e MSH-së, që i referohet të dhënave të 24 orëve paraprake, bëhet e ditur se janë shëruar edhe 3.624 pacientë. Në Kosovë, aktualisht janë 18.506 raste aktive me koronavirus./Llapi.info






