271 aksidente është bilanci i tre ditëve të fundit në rrugët e Kosovës, shkruan Llapi.info.
Në statistika ditore të dërguar nga Policia e Kosovës, thuhet se vetëm gjatë 24-orëve të fundit janë regjistruar 80 aksidente, prej tyre, 22 me të lënduar dhe 58 me dëme materiale.
Sipas PK-së, gjatë së martës kanë ndodhur 91 aksidente, kurse gjatë së hënës 100 aksidente. Në këtë ditë është regjistruar një me fatalitet, kurse 22 të tjerë me persona të lënduar.
Ndërkaq, në një aksident që ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Viti, ka mbetur e vdekur një grua.
Siç njofton Policia e Kosovës, aksidenti ka ndodhur sot në orën 11:36, kur një veturë në lëvizje e ka humbur kontrollin dhe dyshohet se e ka goditur një mur skaj rruge.
Me këtë rast tre persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar me urgjencë në Qendrën Emergjente të Gjilanit, ku përkundër ndihmës së ofruar, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e një femre që ndodhej në veturë, si pasoj e lëndimeve të pësuara në aksident.
“Drejtueses së automjetit të aksidentuar, pas tretmanit mjekësor në Spitalin e Gjilanit, me urdhër të prokurorit i është caktuar ndalimi policor prej 48 orësh, derisa pasagjerja tjetër e lënduar është jashtë rrezikut për jetë”, njofton Policia, përcjell Telegrafi.
Prokurori i shtetit ka urdhëruar që trupi i viktimës të dërgohet në IML për obduksion. Ndërsa, Policia e Kosovës është duke i bërë hetimet për ti ditë shkaqet e këtij aksidenti të rëndë./Llapi.info






