Katër vjet më parë garda ceremoniale e Rusisë u rreshtua në nderim të himnit dhe flamurit të Kosovës. Në mes të Rusisë, Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e artë evropiane dhe mundësoi atë që vlerësohet prej momenteve më të lavdishme në histori të sportit kosovar dhe të Kosovës në përgjithësi.

Më poshtë paraqesim një pjesë nga libri “Majlinda, kronike e suksesit të një supersportisteje”, që ka të bëjë me këtë moment historik.

Pasi e vendosën në shtizë dhe me shikim u bindën se flamuri i Kosovës po ngrihej lartë, më lartë se flamujt e Francës, Rusisë e Rumanisë, ushtarët e Gardës Ceremoniale të Rusisë me një lëvizje tipike ushtarake u kthyen në anën tjetër, ndërsa flamujt mbetën pas shpinës së tyre. Pjesëtarët e Gardës ruse u kthyen për të nderuar atë që bënte të mundshme një pamje të tillë në mes të Rusisë.

Himni i Kosovës ishte duke u intonuar tashmë, kurse ushtarët rusë përnjëherë ngritën dorën e djathtë lartë në anën e djathtë të ballit dhe në një rreshtim të tillë ushtarak qëndruan derisa përfundoi himni. Para ushtarëve rus, disa metra më tej, në shkallën më të lartë të podiumit, me plot krenari qëndronte Majlinda Kelmendi. Ajo pak minuta më parë e kishte fituar medaljen e artë në kampionatin evropian të xhudos për senior që po mbahej në Kazan të Rusisë, në prillin e vitit 2016. Medalja e artë evropiane, për Majlindën nuk ishte madje as suksesi më i madh i vitit. Ishte ana politike që medaljen e artë të fituar në Kazan, i njohur si kryeqyteti sportiv i Rusisë, e bënte të veçantë.

Me medaljen e artë në gjoks, me një buqetë lulesh në dorën e djathtë dhe me një dhuratë të organizatorit në dorën e majtë, Majlinda qetë dhe krenare përcjellte ceremoninë që mbahej për nder të saj e që vlerësohej fitore e madhe politike për shtetin e Kosovës. Vetëm në fund të ceremonisë Majlinda Kelmendi buzëqeshi pak. Ajo, edhe njëherë, po jetonte ëndrrën. Po bënte të mundur që një shtet i fuqishëm që kundërshton ashpër pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet kundër saj, të respektojë himnin dhe flamurin e Kosovës.

21 prilli i vitit 2016 nuk ishte ditë e zakonshme garash për Majlinda Kelmendin. Për të nuk ishte hera e parë që garonte në Rusi, por evropiani që mbahej në Kazan megjithatë ishte i veçantë. Autoritetet ruse insistonin që Majlinda Kelmendi dhe xhudistët tjerë të Kosovës të mos garonin duke përfaqësuar shtetin e tyre. Kërkonin që ata të garojnë me akronimin “IJF”, përkatësisht të përfaqësojnë Federatën Ndërkombëtare të Xhudos (IJF). Si garues të IJF-së edhe ishin përfshirë në shortin që u tërhoq të mërkurën, një ditë para garës së Kelmendit.

E enjtja e 21 prillit doli të jetë një ditë kthese për xhudon e Kosovës, për sportin e Kosovës. Autoritetet ruse kishin lëshuar pe dhe ishin pajtuar që Majlinda, Nora Gjakova, Distria Krasniqi e Akil Gjakova të paraqiteshin duke përfaqësuar Kosovën.

Ishte kjo fitorja e parë që vinte ende pa nisur garat. Në tatami, Majlinda, ashtu si pritej, nuk pati telashe të mëdha, ndonëse nuk ishte edhe në formën më të mirë. Fitoi fillimisht ndaj ukrainases Oleksandra Starkova. Më pas e mposhti izraeliten Roni Schwartz, ndërsa në luftën e tretë që ishte edhe gjysmëfinale e mposhti francezen Annabelle Euranie. Një franceze tjetër, Priscilla Gneto, ishte viktimë e Kelmendit në finale.

Ishte mjaft emocional fundi i luftës me Gneton që Majlindës i siguronte titull të ri të Evropës. Ajo në ceremoninë e ndarjes së medaljeve nuk shfaqi shumë emocione edhe për faktin se prej tyre u zbraz pas fitores në finale. Pas fitores me “Ippon” ndaj francezes, Majlinda kërceu lart me të dy këmbët në shenjë gëzimi. Më pas dorën e djathtë e bëri grusht në shenjë gëzimi e konfirmimi si më e mira, para se të rrihte dy herë shuplakat dhe të niste festën me trajnerin Driton Kuka, të cilit tashmë i ishin mbushur sytë me lot.

Pjesëmarrja e Majlindës në Evropian ishte në dyshim serioz, një ditë para se ajo të bënte që mijëra rus të ngriheshin në këmbë për të nderuar himnin e Kosovës. Deri atëherë në pak raste Rusia kishte lejuar sportistët kosovarë që të përfaqësojnë vendin e tyre në ngjarje të mëdha ndërkombëtare që organizoheshin në territorin rus.

Pala kosovare, e përkrahur edhe nga drejtues të rëndësishëm të xhudos dhe sportit ndërkombëtar, insistonte që në Kazan xhudistët të garonin për Kosovën dhe të barabartë me xhudistët e vendeve tjera. Autoritetet ruse insistonin që xhudistët kosovarë në shpinë të kishin akronimin IJF, por në fund pas presionit të madh lëshuan pe. Asaj që i frikësoheshin rusët edhe ndodhi – Majlinda fitoi medaljen e artë, himni i Kosovës u dëgjua në Rusi, flamuri i Kosovës u ngrit lart në Rusi. Atë mbrëmje flamuri i Kosovës u ngrit edhe njëherë lart, për nder të Nora Gjakovës që fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri 57 kilogram. Kategoria ku Majlinda u shpall kampione e Evropës është ajo deri 52 kilogram. Kjo kategori tashmë njihet si kategoria e Majlindës.

Vetëm 15 minuta pa nisur gara u mor vendimi që Kosovës t’i lejohej prezantimi i barabartë. Komuniteti rus I xhudos ishte përkrahës që Kosova të prezantohej e barabartë, por ishin autoritetet politike që kërkuan trajtim jo të barabartë për Kosovën. Në fund, sipas kryetarit të Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, ishte një ndërhyrje e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin që bëri të mundur që Kosova të garoi e barabartë me vendet tjera.

Ai ka treguar se vendimi pozitiv ishte i Ministrisë së Jashtme të Rusisë dhe vinte pas rekomandimit të Putinit. Meritor që Kosovës i lejohej flamuri e himni ishin edhe presidenti i Federatës Evropiane të Xhudos, rusi Sergey Soloveychik dhe presidenti i IJF-së, marius Vizer.

Majlinda preku majën në Rusi, ndonëse në atë kohë nuk ishte në formën më të mirë fizike dhe kjo i bartej edhe si ngarkesë psikike. Ajo vetëm në fillim të muajit prill mësoi se dhembjet që i shfaqeshin në shpinë e që e kishin shqetësuar për kohë të gjatë nuk janë shumë serioze. Ajo në fillim të vitit 2015 kishte pësuar një lëndim të gjurit, ndërsa gjatë fazës rikuperuese iu paraqiten edhe dhembje në shpinë.

Nuk ishin dhembje të mëdha, por e pengonin që të ishte maksimalisht e fokusuar në luftëra, të luftonte e të stërvitej me koncentrim maksimal.

Po ashtu në raste ia pamundësonin që të luftonte me gjithë forcën, e që është ana e saj më fortë. Majlinda në fillim të prillit për të trajtuar dhembjet e shpinës udhëtoi në Izrael ku po mbahej edhe një kamp stërvitor. Ishte fizioterapeuti i Izraelit, që pas disa seancave me Majlindën i dha asaj lajmin se dhembjet në shpinë mund të kalohen. Nga Izraeli, Majlinda dhe trajneri i saj Driton Kuka u larguan të qetë dhe të vendosur për të vazhduar rrugëtimin drejt sukseseve tjera të mëdha. Nuk vonoi shumë dhe erdhi suksesi në Kazan.

Në fakt në vendimin se si do të prezantohej Kosova në Kazan ishin të përfshira shumë palë. Pos autoriteteve politike ruse ishin të përfshirë edhe Federata Ndërkombëtare dhe ajo Evropiane e Xhudos si dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Pasi premtimet ishin për prezantim të barabartë, drejtuesit e xhudos kosovare dyshonin në një lojë të rusëve kur për short në vend të “KOS” te emrat e xhudistëve kosovarë qëndronte akronimi “IJF”.

Kjo situatë bëri që trajneri Driton Kuka në ditën para garës mos të merret me xhudistët, si zakonisht, por me çështje politiko-sportive. Autoritetet ruse asnjëherë nuk u deklaruan se si erdhi deri te vendimi për të lejuar Kosovën të prezantohet e barabartë me vendet tjera.

Ashtu si pritej, suksesi i Majlindës në Rusi, bëri bujë. Në mediat serbe pati shkrime për “thikë pas shpine nga vëllezërit rusë” për faktin që flamuri dhe himni i Kosovës u lejuan në Rusi dhe që garda ruse u rreshtua në nderim të një suksesi të Kosovës. Mediat serioze ndërkombëtare shkruan për suksesin e dyfishtë të Majlindës në Rusi, për medaljen e artë dhe fitoren në rrafshin politik.

Në Kosovë, suksesi i Majlindës vlerësohej lart. Vlerësohej se atë që nuk po mund ta bënte politika për shumë vite, e bëri Majlinda.