Rezistenca e pronarëve të shtëpisë në afërsi të Rrugës A në Prishtinë, e cila rrezikohej të shembej, rezultoi e pasukesshme.
Inspektorati komunal filloi të enjten rrënimin e shtëpisë, e cila rrezikohej të shembej për shkak të lëvizjeve të dheut në fund të muajit maj.
Dy ditë më parë, të martën, pronari i shtëpisë Faruk Maxhuni rezistoi kundër vendimit për rrënim duke qëndruar brenda shtëpisë – edhe pse ajo ishte e dëmtuar rëndë.
Ndërsa sot, bashkëshortja e tij, Shqipe Berisha-Maxhuni shpërtheu në lot derisa inspektorët po e rrënonin shtëpinë.
“I forti fitoi”, dëgjohej duke thënë ajo mes lotësh. “Oh nuk ka bre jetë në këtë shtet bre!”.
Komuna pretendon se shtëpia është e ndërtuar në pronë komunale, ndërsa pronarët e kontestojnë këtë.
Ata kërkuan kompensim financiar nga komuna para se shtëpia të rrënohej.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha të martën se kjo shtëpi është ndërtuar pa leje dhe ndodhet në pronë komunale.
“Pajtohem me personat publik që po prononcohen për këtë çështje duke thënë se ‘prona është e shenjtë’. E tillë është edhe kjo pronë, pronë komunale, në pronësi të Komunës dhe si e tillë meriton të njëjtin respekt dhe mbrojtje sipas ligjit!”, tha Rama.






