Është rregulluar infrastruktura përcjellëse në këndin e lojërave për fëmijë në fshatin Orllan të Podujevës, njofton Llapi.info.

Siç ka njoftuar organizata joqeveritare “Sundimi i Demokracisë në Kosovës”, renovimi i këtij këndi është mundëruar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe nga kontributi i qytetarëve.

“Hapësirat publike, janë vende që janë të qasshme dhe të përdorshme nga të gjithë. Hapësirat e mira publike rrisin kohezionin e komunitetit dhe promovojnë shëndetin, lumturinë dhe mirëqenien për të gjithë qytetarët. Organizata SDK, se bashku me komunitetin vullnet-mirë, në vazhdimësi ka qenë mjaft aktive, në ruajtjen dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike, veçanërisht në hapësirat gjelbëruese përreth Liqenit “Batllava” në Orllan. Në këtë kontekst, është ndërmarrë iniciativë për të rinovuar “Këndin e lojërave për fëmijë”, i cili ka qenë jofunksional”, thuhet në komunikatën e SDK-së.

“Qëllimi i këtij aktiviteti ka qenë që përmes renovimit të “Këndit të lojërave për fëmijë, të krijohen hapësira mike për fëmijë, që iu mundëson të ndjehen të lumtur e të shëndetshëm. Renovimi i parkut u mundësua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe nga kontributi financiar i disa qytetarëve vullnet-mirë”, thuhet tutje./Llapi.info